E trishtë/ Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndahet nga jeta në moshë të re pedagogia e njohur (EMRI+FOTO)

Pedagogia Albana Kullolli Kastrati, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Agron Kastrati, i cili njoftoi edhe për detajet e ceremonisë mortore që do të zhvillohet në orët në vijim.

Albana Kullolli, ishte një emër i njohur në fushën akademike. Ajo përfundoi studimet në vitin 2004 në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në Fakultetin Ekonomik, dega Financë–Kontabilitet.

Menjëherë pas diplomimit, nisi rrugëtimin e saj profesional si pedagoge në të njëjtin institucion ku kishte studiuar.

Më pas, ajo vijoi kualifikimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua në fushën e Kontabilitetit, ndërsa në vitin 2017 mbrojti gradën shkencore “Doktor i Shkencave”.

Në të njëjtin vit, nisi angazhimin edhe si eksperte pranë Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve në Shkodër, ku kontribuoi në mënyrë aktive në projekte të ndryshme sociale dhe kërkimore, duke dhënë një ndihmesë të çmuar për komunitetin.

Largimi i saj lë një boshllëk të madh në radhët e kolegëve, studentëve dhe të gjithë atyre që e njohën përkushtimin dhe profesionalizmin e saj.

 


Shtuar 19.07.2025 12:43