E trishtë/ Ndahet nga jeta reperi i njohur në moshën 26-vjeçare, shkaku mbetet mister (FOTO)

Reperi amerikan Poorstacy, emri i vërtetë i të cilit është Carlito Milfort Jr., ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare pas një incidenti të ndodhur të shtunën në Boca Raton, Florida.

Lajmi u konfirmua nga Departamenti i Policisë së Boca Raton, ndërsa TMZ raportoi i pari ngjarjen tragjike.

Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë, pasi autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas informacioneve paraprake, një ambulancë u thirr në një hotel në zonë, ku reperi po qëndronte prej dhjetë ditësh së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e tij.

Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetonte.

Punonjës të hotelit, thanë për TMZ se bëhej fjalë për një urgjencë mjekësore dhe se Poorstacy ishte personi i vetëm i shtruar atë ditë në spital.

Poorstacy u bë i njohur për stilin e tij unik që kombinonte emo rap, hip hop, punk rock dhe heavy metal. Ai bashkëpunoi me shumë artistë të njohur, mes tyre edhe bateristi i Blink-182, Travis Barker.

Të dy punuan së bashku në këngët “Choose Life” dhe “Nothing Left”.

Pas njoftimit të vdekjes së tij, Travis Barker i bëri homazh reperit në Instagram, duke ndarë një video emocionuese nga performanca e tyre.

Ai postoi gjithashtu një klip të bashkëpunimit të tyre “Choose Life”, duke shkruar:

“U prehsh në paqe, nuk do të të harrojmë kurrë”.

 


Shtuar 3.12.2025 07:56