Aktori amerikan David Hekili Kenui Bell, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare më 12 qershor 2025, vetëm pak javë pas daljes së tij të parë në ekranin e madh në versionin me aktorë të filmit të Disney-t, “Lilo & Stitch”.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga motra e tij, Jalene Kanani Bell, përmes një postimi emocional në rrjetin social Facebook, ku ajo e përshkroi të ndjerin si një njeri të dashur, të talentuar dhe me një shpirt të madh.
Vdekja e aktorit është konfirmuar gjithashtu nga policia e Hawai’i-t, e cila sqaroi se autopsia është planifikuar për të përcaktuar shkakun e saktë të ndarjes nga jeta, megjithëse nuk dyshohet për ndonjë akt kriminal.
“Ne kemi nisur një hetim nga mjeku ligjor, siç është praktika standarde, dhe është planifikuar një autopsi,” deklaroi një zëdhënës i policisë për revistën People. “Hetimet janë në vijim, por nuk ka dyshime për ndonjë veprim të paligjshëm”.