E rëndë në spitalin e Pejës, foshnja e pajetë futet me çarçafë në lavatriçe, flet i ati me lot: E panë duke e nxjerrë copa-copa

Një rast i rendë u raportua se ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë. Lajmin për Gazetën Express e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, i cili tha se lidhur me rastin kanë filluar hetimet.

“Po kanë filluar hetimet. Këtu është i përfshirë edhe inspektorati i Shëndetësisë, tash po këqyrim a ka persona përgjegjës për këto veprime neglizhence që kanë ndodh, a ka përgjegjësi eventuale. Po, po foshnja ka qenë e vdekur,”- tha ai.

Indeksonline raportoi sonte se pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur, ndërsa babai i foshnjës, në kushtet e anonimatit të plotë ka treguar gjithë historinë dhe sesi e ka mësuar ngjarjen e rëndë që i ka prekur familjen. Babai i foshnjës mes lotësh tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.

Babai i foshnjës: E morëm lajmin që është fëmija i vdekur dhe vazhduam me procesin tjetër, deshëm me marrë fëmijën me i kryer procedurat e tjera që i përkasin. Shkuam në spital që të kërkonim foshnjën por hezituan të na e jepnin. Arsyeja nuk u dinte, bënin sikur po bënin diçka tjetër. Filluam të dyshonim se çfarë ishte problemi. Realisht atë insistuam ta merrnin, po na thanë e merrni nesër sa ta përgatisim. Kuptuam se diçka nuk është në rregull. E kishin mbështjellë me çarçaf dhe s’e kishin kuptuar që ishte foshnja brenda. Të nesërmen e kuptuam që është…foshnja ishte futur në lavatriçe. Kemi shkuar poshtë dhe e ka parë sigurimi, foshnja ishte bërë copë-copë. Një person i spitalit kishte marrë copat e foshnjës duke i futur në qese, duke i mbledhur copë-copë. Mbetëm të shokuar. Është rast që nuk e dimë si ka ndodhur. Lajmëruam Policinë. Na luteshin që të mos e thërrisnim Policinë. Familja nuk e dinë çka ndodhur, por gjë nuk dinë tjetër. Si mundet që të mbështillet një krijesë me çarçafë? S’kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse kemi dhënë deklaratat në Polici. Më vjen keq që nuk më kanë bërë asnjë ngushëllim dhe nuk më kanë kërkuar falje mbi rastin. Por kanë kërkuar vetëm që të fshehin provat.

Babai nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Ai me sytë e tij, pa copëzat e mbetura nga trupi i pajetë i foshnjës së tij, pasi mes çarçafësh u nxor nga lavatriçja e Spitalit, ndërkohë që përgjegjësi për këtë ngjarje horror ende nuk dihet.


Shtuar 21.12.2022 21:12