E rëndë në SHBA, 5-vjeçari vret me armë zjarri vëllanë e tij 16-muajsh

Një djalë 16-muajsh u vra kur vëllai i tij 5-vjeçar hapi zjarr brenda një apartamenti në Lafayette, Indiana, tha policia amerikane, pasi tragjeditë me armë që përfshijnë fëmijë të vegjël në SHBA janë tashmë dhjetëra në vitin 2023.

Autoritetet thanë se u lajmëruan nga një kalimtar për të shtënat në një apartament në Lafayette, gati 60 milje në veri të Indianapolis; kur oficerët mbërritën në banesë, gjetën një fëmijë të vdekur.

Oficerët përcaktuan se plumbi u qëllua nga vëllai pesë-vjeçar i viktimës, “i cili ishte në gjendje të hynte me ë një armë brenda banesës”, tha policia e Lafayette në një deklaratë.

Deri më tani në vitin 2023, ka pasur më shumë se 60 raste në të cilat fëmijët janë qëlluar pa dashje, duke rezultuar në 25 vdekje dhe 39 lëndime në SHBA, sipas numrave nga organizata joqeveritare Everytown for Gun Safety.

Një autopsi e djalit të vogël, Isaiah Johnson, konfirmoi se vdekja e tij ishte për shkak të një plage me armë zjarri.

Një i rritur ka qenë gjithashtu brenda banesës kur pesëvjeçari ka qëlluar, sipas policisë. Policia nuk ka dhënë detaje se si fëmija ka mundur të kapë armën.

Shefi i policisë së Lafayette, Brian Phillips tha vetëm se një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar se kush e zotëronte armën, duke shtuar se nuk është bërë asnjë arrestim.

Sipas të dhënave më të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka afërsisht 400 milionë armë në SHBA, të cilat shkaktuan më shumë se 45,000 vdekje totale—vrasje, aksidente dhe vetëvrasje—në vitin 2020.

Ndërsa këtë vit, për herë të parë, armët janë shkaku kryesor i vdekjeve për të rinjtë e moshës 1 deri në 19 vjeç, me 4,368 vdekje. /albeu.com


Shtuar 31.03.2023 10:09