E rëndë në Kolumbi, rrëshqitja e dherave shkakton vdekjen e 18 personave

Ditën e djeshme, rrëshqitja e dherave në Kolumbinë Veriperëndimore la të paktën 18 persona të vdekur dhe rreth 30 të plagosur, thane zyrtarët locale.

Rruga që lidh qytetet Medellin dhe Quibdo, u mbyll përkohësisht pasi u dëmtua nga disa rrëshqitje dheu, i tha AFP-së një zyrtar nga zyra e guvernatorit në departamentin Choco.

Të gjendur në rrugë, “shumë njerëz” dolën nga automjetet e tyre për t’u “strehuar në një shtëpi” pranë komunës së Carmen de Atrato, “por fatkeqësisht erdhi një rrëshqitje dheu dhe i varrosi ata”, tha zyrtari, duke raportuar 18 të vdekur deri më tani.

Zëvendëspresidentja Francia Marquez, tha në X se rreth 30 persona u plagosën.

Jaime Herrera, kryebashkiaku i Carmen de Atrato, i tha stacionit televiziv lokal “Caracol” se njerëzit ishin “të plagosur rëndë” nga rrëshqitja e dheut, ndërsa të tjerët ishin ende të bllokuar nën të, pa dhënë një shifër.

Imazhet në mediat sociale dhe kanalet televizive, treguan makina të shkatërruara nga balta dhe rrëshqitjet e dheut.

Departamenti i Choco, i cili kufizohet me Oqeanin Paqësor dhe është vendi ku ndodhet një pyll i madh tropikal, është goditur nga reshjet e dendura të shiut në 24 orët e fundit.

Ndërsa Kolumbia po kalon një periudhë thatësire, Instituti i Hidrologjisë, Meteorologjisë dhe Studimeve Mjedisore, kishte paralajmëruar më parë për rrezikun e shirave të dendur, në disa departamente në kufi me Paqësorin dhe Amazonën.


Shtuar 13.01.2024 13:16