Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Kalitheas, në Greqi, ku një vajzë 2-vjeçare ra aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou”, pasi për disa çaste doli nga vëmendja e prindërve të saj.
Sipas informacioneve, fëmija po luante në shesh kur, pa u vënë re nga prindërit, ra në ujë. Kalimtarët që panë ngjarjen njoftuan menjëherë një patrullë policie që ndodhej aty pranë.
Të lidhura
None found
Efektivët reaguan menjëherë, nxorën vajzën nga uji dhe e transportuan me makinë patrullimi në Spitalin Pediatrik “Aglaia Kyriakou”.
Në spital, mjekët u përpoqën për rreth 40 minuta të ringjallnin vajzën e mitur, duke kryer ndërhyrje të menjëhershme reanimimi (CPR).
Përpjekjet rezultuan të suksesshme, pasi fëmija u rikthye në jetë, por autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se gjendja e saj shëndetësore mbetet kritike dhe ajo ndodhet e shtruar në njësinë e kujdesit intensiv.
Gjatë hetimeve, autoritetet konstatuan se prindërit, kur u pyetën nga mjekët e urgjencës, kishin deklaruar se vajza ishte 5-vjeçe, ndërkohë që më pas u vërtetua se ajo ishte vetëm 2-vjeç, ç`ka ka ngritur shqetësime serioze për neglizhencë në mbikëqyrje.
Në këto rrethana, policia greke bëri të ditur se arrestoi babanë e fëmijës, një 25-vjeçar me origjinë shqiptare, ndërsa nëna 23-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë.
Të dy prindërit do të dalin para prokurorit ditën e hënë, me akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e një të mituri.
Sipas mediave greke, ndaj babait është ngritur një çështje penale për veprën e “ekspozimit të një të mituri ndaj rrezikut”, ndërsa e njëjta akuzë rëndon edhe ndaj nënës, e cila ndodhet pranë vajzës së saj në spital, nën mbikëqyrjen e policisë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
