EMRI/ E rëndë në Dukagjin, polici bie në humnerë gjatë operacionit antikanabis

Një efektiv i policisë së Shkodrës ka rënë në një humnerë në zonën e Dukagjinit.

Bëhet fjalë për shefin e Patrullës së policisë së Shkodrës, Rrok Frroku, i cili ka humbur kontrollin, duke rënë në humnerë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Dushman.

Ngjarja është regjistruar gjatë një aksioni të policisë për kanabis, ndërkohë që efektivit i kanë ardhur në ndihmë kolegët e tij dhe më pas e kanë transportuar për në spitalin e Shkodrës.

Njoftimi i policisë:

Shkodër / Informacion paraprak

Me datë 27.05.2022, rreth orës 12:00, në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin gjatë kontrollit në terren, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, njëri nga efektivët e grupit të kontrollit, konkretisht Nënkomisar Rr. F., 54 vjeç, si pasojë e terrenit mjaft të thepisur, është rrëzuar dhe ka rënë në humnerë.

Për pasojë, shtetasi Rr. F. ka marrë lëndime të shumta në trup.

Shërbimet e Policisë dhe disa grupe të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet mjekësore pranë Spitalit Rajonal Shkodër, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë Shkodër, pas 12 orë përpjekjesh, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga humnera të efektivit të Policisë, deri në një pikë ku mund të ulet helikopteri apo të bëhet tërheqja e tij me litarë, me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës, për ndihmë mjekësore.

Ekipi i urgjencës mjekësore i ka dhënë ndihmën e pare oficerit të Policisë dhe po e mban nën monitorim, së bashku me shërbimet policore, deri në mbërritjen e helikopterit, pasi transportimi i mëtejshëm nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore është i pamundur, për shkak të terrenit shumë të vështirë.

Nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i Policisë i dëmtuar, është 6 orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë, të punonjësit të Policisë.


Shtuar 28.05.2022 10:49