E rëndë/ 6-vjeçari humb jetën në spitalin e Lushnjes, pësoi arrest kardiak

Mbrëmjen e djeshme, një 6-vjeçar ka humbur jetën në spitalin e Lushnjes. Fëmija u paraqit në spitalin e Lushnjes rreth orës 14:00, ndërsa prej gjashtë ditësh, mjekohej në kushte shtëpie nën kujdesin e gjyshërve.

Sipas mjekëve, i mituri vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Pasi i janë bërë analizat, duke parë gjendjen e rënduar të tij, stafi i mjekëve vendosën ta dërgojnë për trajtim më të specializuar në Tiranë, por fëmija ka humbur jetën sapo ka hyrë në ambulancë.

Sipas bluzave të bardha, i mituri ka humbur jetën nga arresti kardiak si pasojë e sëmundjes së mëparshme.

Të pranishëm në këto momente kanë qenë mamaja dhe gjyshi i 6-vjeçarit, të cilët nuk kanë pranuar t’i bëjnë autopsinë fëmijës, duke e marrë trupin në banesë për të bërë nderimet e fundit.

Për këtë rast, drejtoria e spitalit Lushnje shprehet se do të jetë Ministria e Shëndetësisë, që do të japë më shumë sqarime për rastin, ndërsa nga Policia e Lushnjes bëhet me dije se janë bërë procedurat dhe i janë nisur prokurorisë për vlerësimin e këtij rasti tragjik.


Shtuar 26.01.2025 11:56