E rëndë/ 32-vjeçari tenton të djegë me benzinë të moshuarin, arrestohet nga policia (EMRI)

Një 32-vjeçar është arrestuar në Prrenjas, pasi tentoi të vriste fqinjin e tij të moshuar duke e djegur me benzinë.

Bëhet fjalë për 32-vjeçari Gazmend Ozuni, i cili hodhi benzinë ndaj 75-vjeçarit S.O., në ambjentet e jashtme të shtëpisë së këtij të fundit dhe i vuri flakën atij, pas një konflikti për motive të dobëta.

I moshuari u dërgua në spital për mjekim, teksa i riu u vu në pranga.

“Shërbimet e Policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Prrenjasit ka shkuar për të marrë mjekim shtetasi S. O., 75-vjeç, dyshuar i djegur me lëndë djegëse, kanë kryer veprimet hetimore dhe operacionale për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. O., 32- vjeç.

Nga veprimet hetimore rezulton se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 32-vjeçari dyshohet se në ambientet e jashtme të banesës së 75-vjeçarit ka hedhur benzinë dhe më pas i ka vënë flakën ku si pasojë është dëmtuar shtetasi S. O., 75-vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 10.06.2025 14:19