E rëndë, 3-vjeçari humbi jetën pas vizitës te dentisti, denoncojnë prindërit: Mbidozë narkoze

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 3-vjeçar ka ndërruar jetë pas vizitës te një dentist. Ngjarja thuhet se ka ndodhur 3 ditë më parë.

Kanë qenë prindërit e vogëlushit që kanë denoncuar rastin në polici. Ata akuzojnë dentistin për injektim të një sasie të tepërt narkoze.

Policia ka referuar materialet për dentisitin ndaj të cilit rëndon akuza për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital”, njofton policia.


Shtuar 5.10.2023 11:23