E premtja dita më e nxehtë, nuk do ta besoni, ja sa do të shënojë termometri

Shqipëria është përfshirë nga vala e të nxehtit afrikan.

Sipas sinoptikanëve, kulmi i të nxehtit do të arrijë ditën e premte, ku temperaturat pritet të ngjiten deri në 40 gradë Celsius në hije, ndërsa në diell ndjesia termike do të jetë edhe më e lartë, deri në 45 gradë.

“Territori shqiptar është nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan, duke bërë që të kemi temperatura ekstremisht të larta. Maksimumet në rang territori do të regjistrohen në vlerën 39-40 gradë Celsius. 40 gradë Celsius do të regjistrohet në qarkun e Elbasanit, ndërsa Berati e Kopliku pritet të regjistrojnë temperatura të ajrit në vlerën 39 gradë Celsius. Në diell, temperaturat e ajrit zakonisht ndihen edhe në 4-5 gradë më të larta se sa vlerat normale”, thotë meteorologu Hakil Osmani nga Meteoalb.

Sinoptikanët thonë se kjo është vala më e nxehtë e deritanishme për këtë sezon.

“Valët e të nxehtit momentalisht do të zgjasin deri në fundjavë, ndërsa dita e shtunë dhe e dielë do të sjellin një rënie graduale të temperaturave të ajrit”.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë, si dhe shmangie të ekspozimit në diell gjatë orëve të mesditës.


Shtuar 25.06.2025 16:45