Pas 5 orësh mbledhje, ku mbizotëroi një debat procedural mes opozitës dhe mazhorancës për lejimin apo jo të mediave në sallën e mbledhjes, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi ndërprerjen e mbledhjes pa caktuar asnjë datë për vijimin e saj.
Për të mbrojtur kërkesën e SPAK para Kuvendit, në mbledhje morën pjesë kryetari Klodian Braho, prokurori i çështjes Dritan Premçi dhe prokurorja Dorina Bejko, ndërsa e pandehura Balluku mungoi duke u përfaqësuar me avokatin Ardian Kalija.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura i thanë BIRN-it se avokati i Ballukut dhe deputetët socialistë kërkuan disa javë kohë për t’u njohur me provat e sjella nga prokuroria, ndërsa prokurorët e SPAK konsideruan si të mjaftueshme afatin 3 deri në 5 ditë.
Këshilli ra dakord që një pajisje USB ku gjenden mijëra faqe prova të dosjes hetimore ndaj Ballukut të kopjohet dhe t’u shpërndahet anëtarëve të këshillit.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, anëtar i këtij Këshilli, u tha mediave se socialistët po vepronin me një skenar të paramenduar për të zvarritur vendimmarrjen e Kuvendit për të dhënë autorizimin e arrestit ndaj Ballukut.
Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit se po shkelte rregulloren dhe po vepronte në kundërshtim me praktikën e mëparshme për heqjen e imunitetit të deputetit, kur Këshilli nuk ka marrë më shumë se 72 orë në dispozicion për të hartuar raportin përkatës për seancën plenare.
“U bënë aq qesharakë sa kërkuan që mbledhja e radhës të bëhej pas një muaji, pra rreth datës 20 janar, ndërsa 3 prokurorët bënë të qartë që kjo është një çështje e ngutshme dhe çdo vonesë mund të rrezikojë provat dhe intimidimin e dëshmitarëve”, tha Bardhi para mediave.
Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar një afat dyjavor për përfundimin e kësaj procedure dhe kalimin për votim në seancën parlamentare të radhës pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, por PS po përpiqet të përdorë në favor të shtyrjes pushimet dimërore të Kuvendit dhe rinisjen e punimeve në sesionin e ri parlamentar në janar.
Peleshi nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN se kur do të thërriste mbledhjen e radhës dhe nëse do të zbatonte praktikën parlamentare të mëparshme në këto raste.
Në relacionin e bërë publik që shoqëron dosjen me provat ndaj Ballukut, Prokuroria e Posaçme argumenton se po kërkon arrestimin e saj, pasi ka prova që ajo ka kërcënuar një dëshmitare, vartëse të saj dhe se rrezikon prishjen e provave. SPAK thotë se Balluku është tashmë nën hetim edhe për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar, veç tenderëve të Unazës për vitin 2021 dhe atë të tunelit të Llogarasë./BIRN
