E mitura abuzohej brenda shtëpisë së saj, rrëfimet dhe mesazhet që e çuan babanë në krim

Mediat greke, vijojnë të publikojnë detaje të reja nga krimi në familjen shqiptare që tronditi Volosin. 50-vjeçari Fatmir Tarellari, vrau me armë kunatin 33-vjeçar Erjon Pelivanin, pasi ky i fundit i kishte përdhunuar vajzën.

Mësohet se adoleshentja për 9 vite me radhë, ka qenë viktimë e përdhunimit dhe abuzimit seksual në shtëpinë e saj.

Avokati i 50-vjeçarit ka thënë: “33-vjeçari kishte akses të lirë në shtëpi. Përdhunimet kanë ndodhur brenda shtëpisë. Në momentin që po ndodhnin këto ngjarje, në shtëpi ndodhej edhe vëllai i vogël i vajzës, i cili në atë kohë ishte 4 vjeç. 33-vjeçari hynte lirisht në shtëpi dhe prindërit ishin larg në punë. Ai padyshim që e pa kur ata dolën nga shtëpia”, tha Michalis Synodinos për SKAI-n.

Sipas asaj që dyshohet se i ka thënë vajza, “ajo ishte ngacmuar seksualisht që në moshën 9-vjeçare dhe përdhunimet kanë ndodhur nga mosha 12 deri në 14 vjeç. Në moshën 14-vjeçare, duke u rritur, fëmija ndoshta i tha se nëse vazhdonte do të zbulonte gjithçka dhe ai, kur i duheshin para, kthehej me video për ta shantazhuar”.

Avokati i babait 50-vjeçar, tha gjithashtu, se vajza u kishte thënë motrave të saj për ngacmimet seksuale, por jo përdhunime, pa përmendur emrin e personit.

Avokati i babait 50-vjeçar, pasi shpjegoi se klienti i tij “nuk e pranon se ishte në gjendje të qetë shpirtërore” përshkroi se çfarë i parapriu krimit siç tha ai, “ai (babai) është njoftuar në orët e mëngjesit të së hënës për të sqaruar se çfarë po bëhej me paratë e qirasë. Pas një bisede me vajzën e tij ai u informua për përdhunimet dhe shantazhet por vajza nuk e zbuloi fytyrën. Ata vijnë në zyrën time të hënën në mëngjes për të diskutuar se si të merren me problemin. Domethënë po bëheshim gati të bënim padi, duke pritur që vajza të na tregonte se kush ishte personi. Se kush ishte, babai e mori vesh në orët e para të së martës pas presionit të vazhdueshëm ndaj vajzës së tij”.

Sipas avokatit, vajza kishte videot në të cilat 33-vjeçari e shantazhonte, por nuk ia tregonte babait të saj: “Ajo që i tregoi ishin mesazhet që vërtetonin atë që ajo thoshte”.

Synodinos e përfundoi përshkrimin e tij, duke thënë se “që nga mëngjesi i së martës kur ai (babai) e mori vesh deri të martën pasdite nuk kishim asnjë kontakt. Pas ngjarjes ai ishte në gjendje tragjike, më tregoi se çfarë kishte ndodhur dhe unë e këshillova që të informonte autoritetet dhe të dorëzohej”.


Shtuar 11.01.2024 08:25