E kërkonte Zvicra për pastrim parash, 56-vjeçari nga Kosova arrestohet në Morinë

Një 56-vjeçar nga Kosova, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zvicra është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.

Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Bernit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Zvicrës, shtetasi kosovar, i kërkuar ndërkombëtarisht M. T., 56 vjeç, rezident në Tiranë.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 56-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berni, pasi autoritetet gjyqësore të Zvicrës i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit” dhe “Pastrimi i parave”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Zvicrës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Zvicër, vijon procedurat për ekstradimin e 56-vjeçarit./Albeu.com


Shtuar 26.10.2023 09:26