Për shkak të mungesës së Kryeparlamentares Elisa Spiropali, Kuvendi do të mbahet të hënën. Vendimi erdhi pas Konferencës së Kryetarëve, të cilët pas debateve, me votat e mazhorancës vendosën shtyrjen e seancës.
Seanca e së hënës nis në orën 13:00 teksa parashikohet vetëm miratimi i procesverbalit dhe do të diskutohet vetëm projektligji për performancën energjitike të ndërtesave.
Më herët në Konferencën e Kryetarëve, anëtarët opozitarë u shprehën se nuk ishte nevoja për shtyrjen e seancës nga e enjtja në të hënën pasi mund të drejtohej nga dy nënkryetarët e parlamentit.
Por mazhoranca nuk ishte e së njëjtit mendim, pasi sipas tyre është më rëndësi drejtimi nga Kryetarja Spiropali, e cila të enjten zhvilloi një vizitë në Ukrainë.
Kjo legjislaturë pritet të zgjasë deri më 8 korrik, ndërsa në shtator do të mblidhet parlamenti i ri me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Në shtator, Partia Socialiste do të zë plot 83 karrige, shumica prej tyre deputetë që do të mbajnë mandatin e parë. Partia Demokratike do të ketë 42 deputetë dhe 8 të tjerë nga partitë aleatë, të cilët iu bashkuan Koalicionit Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Partia Socialdemokrate do të ketë sërish 3 deputetë dhe Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj do të jetë në Kuvend me 2 ligjvënës. Por nga një karrige do të zënë dhe Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë të cilët vijnë për herë të parë në Parlamentin shqiptar.