Foshnja, e cila u gjet e braktisur ditën e djeshme, 8 nëntor, në bodrumin e një pallati në Yzberisht ka ndërruar jetë.
Edhe pse ditën e djeshme u dërgua në spital dhe iu dha ndihma e parë, nuk ka mundur të mbijetojë pasi gjendja e tij ishte tejet e rëndë.
Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm, Taulant Balla në Facebook, i cili thotë se është njoftuar nga materniteti për fatin tragjik të foshnjës.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruan ministri Balla në Facebook.
Sakaq, nëna 30-vjeçare është arrestuar nga policia.
Njoftimi
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sipas nenit 124, “braktisja e fëmijëve të mitur”, kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Para grupit hetimor ajo ka thënë se veprimin e ka kryer pasi nuk e mbante dot dhe nuk kujdesej dot për djalin e saj të porsalindur. Mes të tjerash, ajo ka deklaruar se i vinte turp që të lindë fëmijën në maternitet dhe më pas ta linte aty dhe si zgjidhje ka parë mundësinë për ta braktisur në garazhin e pallatit në Yzberisht.
/albeu.com