Forca të shumta policie kanë kryer sot kontrolle në banesat e bosit të kazinove, Ervis Martinaj në Fushë-Kuqe, i cili rezulton i zhdukur që prej një viti.
Burime bëjnë me dije se kontrollet në banesat e Martinajt janë kryer në kuadër të megaoperacionit të urdhëruar nga SPAK sot, ku deri më tani janë arrestuar 6 persona.
Ende nuk dihet se si lidhet emri i “mbretit” të basteve, Ervis Martinaj në këtë dosje dhe çfarë është gjetur nga kontrolli me imtësi në shtëpinë e tij.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.
Biznesmeni i basteve është zhdukur prej 8 gushtit të vitit të kaluar dhe prej tij ende nuk ka asnjë gjurmë. Kush janë personat që u arrestuan sot, të cilët akuzihet për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
1. Oltion Bistri- Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Më herët ka mbajtur postin e Shefit të Operacionales një post që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.
2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.
3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.
4. Ardit Hasanbenga- Ish Shefi i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit te shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit. Kjo u bë pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz
5. Pëllumb Gjoka– Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë. Ai gjithashtu drejton edhe Imperial.
6. Edmond Lika ende nuk ka një informacion për postin e këtij të fundit.
Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar. Priten të dhëna të tjera më të hollësishme për këtë operacion, por kryesisht SPAK preferon të mbajë hermetik informacionin deri në përfundim të një procesi.
Ervis Martinaj:
Ai u arrestua për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku edhe vetë ai mbeti i plagosur ndërsa miku i tij, Fabjol Gaxha, u vra, dhe u lirua pas shtatë muajsh në qelinë e burgut 302, në maj të vitit 2019, nga gjyqtari Artan Gjermeni, dhe një muaj më pas edhe me vendim të Gjykatës së Apelit që “vulosi” lirinë e tij kundrejt garancisë pasurore prej 50 milion lekë të vjetra. Treshja e gjyqtarëve të Apelit Flutura Skënderi, Gramoz Levanaj dhe Artur Gaxha, vendosën që Martinaj të vijojë të qëndrojë i lirë gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të çështjes. Ndërkohë që prokurori i çështjes kishte kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Në maj 2019 Ervis Martinaj është liruar nga paraburgimi 302 në Tiranë pasi prokuroria nuk është në gjendje të mbajë për një kohë të gjatë të izoluar për shkak se akuza nuk kishte provat e mjaftueshme, që do të përligjnin mbajtjen e Martinaj në qeli. Këtë argument dha gjyqtari Artan Gjermeni, i cili në 3 maj 2019 vendosi të zëvendësojë masën e sigurimit për Martinaj nga “arrest në burg” në lirimin e tij kundrejt garancisë pasurore prej 50 milion lekë të vjetra. Për këtë ngjarje në prill 2021 Ervis Martinaj dënohet nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 8 muaj burgim, ndërsa në Apel ende s’ka vendim.
Në shkurt 2020 Operacioni Forca e Ligjit vendosi në sitë pasuritë e tij. Ervis Martinaj ka qenë i njohur në fushën e lojërave të fatit ku ka pasur edhe një kasino “King Casino”, të themeluar në vitin 2011 dhe në prill të vitit 2012 e zgjeroi rrjetin edhe me kompaninë e basteve sportive “Albania Baste Live”. Në vitin 2013, një kompani e tretë lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së 36-vjeçarit, nën emrin tregtar “Eurovis”, e cila është aktive, por jo më për bastet sportive por për shërbime të tjera.
Po ashtu, në emër të babait të tij, pas rezultuar edhe një biznes me këmbimin valutor “Mati Union”. Ndërsa kazinotë dhe kompania e basteve u mbyllën pas nisjes së operacionit të policisë “Fundi i Marrëzisë”. Në kulmin e këtij aksioni, në tetor 2013, Martinaj u denoncua se kishte kërcënuar shefin e repartit “Shqiponja” në Tiranë, pas bllokimit të rreth 400 makinetave të lojërave të fatit në një magazinë që zotërohej prej tij.
Në mars 2017, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në atë kohë se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Pas refuzimit të tij, Beqja deklaroi se Martinaj e kishte kërcënuar. Prokuroria deklaroi se kishte nisur hetime për të dyja rastet, por Martinaj nuk u penalizua për asnjërën.
Ervis Martinaj themeloi tre kompani të lojërave të fatit mes viteve 2011-2013, ndërkohë, është proceduar në disa raste për organizim të lotarive të palejuara, në tetor 2013 dhe tetor 2014. Në një nga kompanitë e Ervis Martinajt, “King Casino”, e pezulluar, figuron edhe emri i një prej personave që Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi po sot, ashtu si Martinajt, të vetëdeklarojë pasurinë. Valentino Kaçorri, i dënuar në Itali për vrasje dhe trafik armësh, në këtë kompani të Martinajt, figuronte anëtar i Këshillit të Mbikëqyrjes në “King Casino”, të mbyllur prej vitesh.
Majin e kaluar Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili e akuzonte se ka porositur vrasjen e Indrit Dokles. 500 mijë euro do paguante Martinaj për të hequr qafe Doklen. Dumani ka thënë në SPAK në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’ se marrë porosi nga Martinaj për të vrarë në këmbim të shumcës 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro./albeu.com/