Ngrinë nga i ftohti, 12 emigrantë gjenden pa jetë në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, nëpërmjet një postimi në “Twitter” ka dhënë lajmin se 12 persona janë gjetur të vdekur në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë si pasojë e të ftohtit.

Sipas ministrit ata janë kthyer mbrapsht nga rojet kufitare greke, që më parë i kanë detytyar që të heqin këpucët dhe xhupat.

“Kjo është barbari. 12 emigrantë gjenden të ngrirë në mes të ftohtit pa këpucë dhe veshje të trasha. BE është pa zgjidhje”, shkruan ai në Twitter.

Deri më tani nuk ka ndonjë raportim në mediat greke për çështjen në fjalë, po ashtu as edhe ndonjë reagim nga autoritetet vendase.

Greqia po ndjek një politikë të kthimit masiv të emigrantëve që duan të kalojnë aty nga Turqia duke marrë kritika të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut.


Shtuar 2.02.2022 11:44