Kapet grabitësi i postës së Kamzës, momenti kur i vihen prangat (VIDEO)

Kapet grabitësi i postës së Kamzës, Elis Suçi. Policia ka sekuestruar edhe paratë e grabitjes.

Elis Suçi ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i grabitjes së filialit të postës në Kamëz.

Suçi është një emër i njohur për policinë e shtetit.

Ai rezulton në kërkim gjithashtu edhe për grabitje të tjera në Tiranë.

Kujtojmë se Elis Suçi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë gjatë një aksioni për arrestimin e tij.

Ngjarja u shënua në mars të po këtij viti në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz.

Njoftimi i policisë:

Kamzë

Vijon operacioni policor i koduar “Filiali 2”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 5.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vjedhjes së një shume parash, nën kërcënimin e një arme, në filialin e Postës Shqiptare.

Sekuestrohen 1 milion lekë të rinj, një aparat celular, një armë zjarri pistoletë dhe veshjet që autori dyshohet se i ka përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave në kërkim, në vijim të veprimeve intensive hetimore, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë.

Më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, shtetasi E. S., në bashkëpunim me shtetasin A. K., 20 vjeç ( i arrestuar më parë), nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 milion lekë të rinj, një aparat celular, një armë zjarri pistoletë dhe veshjet që autori dyshohet se i ka përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/albeu.com


Shtuar 20.04.2022 15:10