Goditen 3 baza prostitucioni në Fier, arrestohen 4 pronarët

Policia e Fierit ka bllokuar 3 ambiente, 2 lokale dhe 1 hotel të vëna në dispozicion për ushtrim të prostitucionit.

Në pranga kanë rënë 4 pronarët e këtyre ambienteve të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjithashtu të implikuar janë edhe 8 shtetas të tjerë, të cilët u proceduan penalisht.

Pas nje hetimi disa mujor dhe sigurimit të provave u finalizua operacioni “Bazat.”

Në kuadër të këtij operaconi u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, për 4 shtetas, banues në Fier, konkretisht: G., 69 vjeç dhe B. M., 71 vjeçe, pronarë të një lokali në lagjen “Kastriot”; N. A., 63 vjeçe, pronare e një lokali në lagjen  “Kastriot” dhe T. H., 69 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “16 prilli”.

Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit “Bazat”, rezultoi se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës maj 2022-shkurt 2023, kishin vënë 2 lokalet dhe hotelin që kishin në pronësi, në dispozicion të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit.

Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 8 shtetas, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari.

Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/.


Shtuar 1.03.2023 09:05