E fshehur mes kontejnerëve me banane, sekuestrohen 3 ton kokainë në Itali

Policia italiane ka gjetur dhe sekuestruar 2 ton e 734 kilogramë kokainë të pastër në dy kontejnerë që vinin nga Guayaquil, Ekuadori, me destinacion Armeninë, nëpërmjet portit të Batumi, Gjeorgji.

Droga është sekuestruar në portin e Gioia Tauro.

Sipas medieve italiane, kokaina ishte fshehur në një ngarkesë me babane të fshehur në kontejnerë.

Operacioni që çoi në sekuestrimin e gati tre tonëve kokainë, me qëllim luftimin e trafikut ndërkombëtar të drogës, u krye me koordinimin dhe drejtimin e Drejtorisë Antimafia të Qarkut Reggio Calabria.

Kokaina u gjet pas operacioneve të gjata dhe komplekse të kërkimit, me ndihmën e skanerëve të sofistikuar dhe njësitë e qenve të Guardia di Finanza.

Lënda narkotike e sekuestruar, e cilësisë jashtëzakonisht të pastër dhe në gjendje perfekte, do t’i kishte sjellë trafikantëve të ardhura mbi 800 milionë euro.

Gjithashtu duke marrë parasysh sasinë e madhe të drogës, thuhet në një njoftim për shtyp, për operacionet e transportit dhe asgjësimit të mëpasshëm janë punësuar mbi 30 ushtarë të specializuar të Policisë së Financës. /Albeu.com


Shtuar 16.05.2023 09:22

Tags: ,