Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar akuzat zyrtare ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe ortakut të këtij të fundit, Fatmir Bektashi.
Sipas SPAK, Berisha ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi (i arrestuar më 21 tetor në Rinas).
Gjithashtu, në njoftimin e SPAK thuhet se nga ana e Berishës, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, po në favor të Malltezit.
SPAK thekson se Berisha i ka vënë në dispozicion dhëndrit të tij privatizimin e pronës shtetërore.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Sipas SPAK, Malltezi në bashkëpunim Fatmir Bektashin (i arrestuar) ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të masave të sigurisë dhe arrestimit të dhëndrit të tij, Berisha doli në një konferencë për media ku deklaroi se procedura e privatizimit nuk ka asnjë shkelje.
Si është bërë procedura, sipas Berishës.
“Lidhur me ndalimin e Jamarbër Malltezit, deklaroj sa vijon:
Jamarbër Malltezi nuk është thirrur në jetën e tij nga asnjë prokuror apo asnjë gjykatës për asnjë çështje.
Prej tre vitesh, me padi të rreme të ngritura nga Taulant Balla, SKAP-i i partisë koa hetuar privatizimin e klubit Partizani.
Pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme, nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori, por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur të oborrit qeveritar për gjoja abuzime.
Klubi i Partizanit nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës dhe as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit.
Destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës.
Është ndryshuar pra destinacioni i karakterit sportiv nga vetë Edi Rama. Me dokumenta.
Njohja dhe kthimi te pronarët e ligjshëm të pronarëve të klubit Partizani, janë gjashtë familje dhe 64 anëtarë, është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe gjykatat nga vitit 1994 deri në vitin 2006.
Privatizimi i klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos.
Muaj më parë, prokurorja e SKAP-it, simotra biologjike e Taulant Bego Jaris, ka sekuestruar kompjuterat e kompanisë që mbante kontabilitetin e Jamarbër Malltezit dhe ka shkuar në gjykatë duke mashtruar gjykatën: ajo ka deklaruar se kthimi i pronave ka filluar në vitin 2006, në një kohë kur ky është një proces i njohjes, madje i kthimit nga viti 1994-1995.
Ajo është përpjekur të krijojë konfuzion dhe gënjeshtra me nënkuptim për sipërfaqen e privatizimit. Shtoj këtu se çdo centimetër dhe metër katror e sipërfaqes së privatizuar, është e firmosur nga 7 firma të bashkisë së Edi Ramës.
Ajo në gjykatë ka spekuluar në mënyrë të paturpshme me çështjen e ortakërisë së Jamarbër Malltezit me bashkëinvestitorë. Ortakëri e cila në asnjë rast nuk përbën vepër penale dhe nuk ka asnjë lidhje me SPAK-un e partisë.
Për njëfarë periudhë, bashkëinvestitorët kanë rregulluar marrëdhëniet e tyre me kontratë të noterizuar, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Çdo transaksion është bërë vetëm në rrugë bankare, duke depozituar pranë institucioneve, kontratën e noterizuar.
Ndryshe nga sa gënjen përfaqësuesja e Taulant Ballës, çdo transaksion është deklaruar pranë tatimeve, bankës dhe institucionit të larjes së parave.
Me fillimin e tërheqjes së dividentit, në përputhje me kontratën, Jamarbër Malltezi, nga kontrata kanë kaluar në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
Ndërsa marrëdhënia me kontratë është përgjegjësi e pakufizuar, e plotë dhe totale. Kurse në shoqëri, përgjegjësia është e kufizuar.
Në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar, kanë kaluar sipas kuotave të përcaktuara në kontratë.
Pra, për të justifikuar sekuestron e kompjuterëve të kompanisë, prokurorja Mellonai, ka gënjyer në mënyrë të paskrupullt”, deklaroi Berisha.