Në Gjykatën Penale të Parisit ka nisur procesi gjyqësor kundër dhjetë personave të akuzuar për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron, bashkëshortes së presidentit francez Emmanuel Macron. Rasti lidhet me një lajm të rremë ndërkombëtar, i cili pretendonte se zonja e parë e Francës ishte në fakt burrë.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen tetë burra dhe dy gra, të moshave nga 41 deri në 60 vjeç, mes tyre zyrtarë lokalë, pronarë galerish arti, mësues dhe profesionistë të IT-së. Sipas zyrës së prokurorit të Parisit, ata akuzohen për postimin dhe shpërndarjen në rrjete sociale të fotomontazheve, fyerjeve dhe komenteve për gjininë, seksualitetin dhe diferencën në moshë të çiftit presidencial. Brigitte Macron nuk ishte e pranishme në seancë, por kallëzimi i saj më 27 gusht 2024 çoi në disa valë arrestimesh në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025.
Si nisi fushata e ngacmimit
Hetimet zbuluan se disa prej të akuzuarve ishin aktivë në rrjete sociale, me postime që arrinin dhjetëra mijëra shikime. Ndër ta, Delphine Jegousse (Amandine Roy), një autore dhe mediume 51-vjeçare, dyshohet si nxitësja kryesore, pasi në vitin 2021 publikoi një video katër-orëshe në YouTube që përhapte thashethemet. Një tjetër figurë e përfshirë, Aurélien Poirson-Atlan (Zoé Sagan), pa si llogaria e saj në platformën X u pezullua pasi u lidh me disa hetime për shpifje.
Teoritë e konspiracionit që s’kanë të sosur
Për vite me radhë, çifti Macron është bërë objekt i teorive të rreme, të cilat pretendojnë se Brigitte është në të vërtetë vëllai i saj, Jean-Michel Trogneux, që ka ndryshuar gjini. Kjo teori, e përgënjeshtruar vazhdimisht, ka qarkulluar gjerësisht në platforma sociale dhe është shndërruar në një nga rastet më të rënda të shpifjeve ndaj një figure publike në Francë.
Procesi dhe pasojat ligjore
Gjyqi dyditor në Paris vjen pas një tjetër padie që çifti Macron ngriti në korrik në Delaware (SHBA) ndaj influencueses konservatore Candace Owens, duke kërkuar dëmshpërblim të konsiderueshëm në rast se ajo vazhdon pretendimet. Vendimi për rastin aktual në Francë pritet në një datë të mëvonshme.
Më herët, në shtator 2024, Brigitte dhe vëllai i saj kishin fituar një padi për shpifje ndaj Jegousse dhe një tjetër gruaje, të cilat u dënuan me gjoba dhe dëmshpërblim, por vendimi u rrëzua nga një gjykatë apeli, duke i detyruar palët ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë Franceze.
Brigitte dhe Emmanuel Macron, të martuar që nga viti 2007, u njohën në shkollë, ku ajo ishte mësuese dhe ai nxënës. Zonja e parë, 24 vite më e madhe se presidenti, është shpesh në qendër të vëmendjes për diferencën në moshë, por çifti mbetet i pandarë që prej ditës së parë, pavarësisht fushatave të vazhdueshme të shpifjeve dhe teorive të konspiracionit që i rrethojnë.
