Rëndohet bilanci i atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit të ndodhur të martën e 11 Nëntorit.
Pas 4 ditësh në trajtim intensiv në reanimacionin e Traumës, ka ndërruar jetë 42-vjeçari Muçi Shaljani.
Tashmë do të kryhet çdo procedurë sipas ligjit dhe do i jepet trupi familjarëve për të zhvilluar edhe ceremoninë mortore.
Policia e shtetit ka bindje që në këtë sulm me armë zjarri nuk ishte shënjestër Muçi Shaljani, por miku i tij Gilmando Dani, me të cilin ka qenë në Barcelonë prej datës 7 nëntor deri më datë 11 dhe më pas kanë mbërritur nëpërmjet aeroportit të Rinasit, kanë marrë makinën e tyre Benz e sapo kanë dalë tek rrethrrotullimi i ‘Nënë Terezës’ janë hasur me breshëri të armëve nga 3 personat që kanë qëlluar në drejtim të tyre.
Përgjegjës deri në këto çaste policia nuk ka gjetur persona si autorë të dyshuar apo persona që kanë lidhje me atentatin, por janë ndaluar vetëm 2 efektivë të Komisariatit nr.3 në kryeqytet.
Bëhet fjalë për Bruno Caran dhe Arshim Zajmi, dy efektivët që sipas AMP-së nuk kanë raportuar apo nuk kanë kryer çdo procedurë ligjore për përgatitjen e dokumentave, për futjen në AMP të të ndjerit, Muçi Shaljani.
Këto punonjës policie duhet të kontrollonin dhe duhet të mbanin procesverbalin, nëse kandidati për AMP, që në këtë rast ishte Muçi Shaljani, kishte apo jo të dhëna kriminale, kishte kontakte të papërshtatshme dhe sipas verifikimeve që këto dy efektivë kanë kryer në Kartotekën e Policisë së Shtetit, në SK2 që janë sistemet e brendshme të policisë së shtetit dhe në çdolloj njoftimi apo informacioni të klasifikuar, nuk ka rezultuar që Muçi Shaljani të jetë i papërshtatshëm për këtë detyrë dhe për këtë arsye i kanë dhënë dhe miratimin për tu futur në AMP.
Sipas AMP-së, këta punonjës policie, nuk kanë kryer detyrën e tyre ligjore për verifikimin e kandidatit dhe vërtetimin e besueshmërisë.
Është caktuar këtë të shtunë se do të mbahet masa e sigurisë për Bruno Carën dhe për Arshim Zajmin, të cilët janë ndaluar dy ditë më parë, ndërsa sot nga ana e prokurorit Bledar Valikaj, do të relatohet mbi gjetjet që ka kryer prokuroria dhe Agjesia Mbikqyrjes Policore për ndalimin e dy efektivëve të komisariatit nr.3.
Bruno Cara kishte vetëm rreth 1 muaj e gjysëm që e kishte nisur detyrën si efektiv i komisariatit nr.3 në kryeqytet, ndërkohë që Arshim Zajmi kishte kohë që ishte punonjës policie.
Bëhet me dije që Prokuroria e Tiranës do të hetoj edhe efektivë të tjerë të AMP-së për mënyrën sesi janë rekrutuar, përveç Muçi Shaljanit, por edhe mbi funksionin që kjo agjensi ka mbi rekrutimin e personave që duan të bëhen pjesë e mbikëqyrjes policore.
Muçi Shaljani dhe pse kishte që prej muajit shtator që ishte pjesë e kësaj agjensie, nuk figuron të ketë shkuar në punë, ndoshta nuk figuron thotë edhe Prokuroria të ketë marrë një leje të posaçme apo raport për ta justifikuar udhëtimin e tij në Barcelonë.
Duhet verifikuar edhe ky aspekt, që sipas Prokurorisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pra nuk kanë dijeni mbi venddodhjen e agjentëve të AMP-së, ç’ka do ishte kompetencë e drejtuesit apo shefit të sektorit për të ditur dhe për të marrë njoftim nëse është apo jo në punë.
