Dyshohet se kishte planifikuar vrasjen e shokëve të klasës, 30 ditë paraburgim për të miturin nga Peja

I mituri, B.M., nga Peja është arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Atij tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Burime për Gazetën Express thonë se ai dyshohet se kishte planifikuar të vrasiste disa nxënës të gjimnazit të Pejës.

Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Inicialet e të dyshuarit janë B.M. Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve pasi dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.”, ka thënë Gashi për Express.

Ndërsa në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ai u arrestua pasi paraqet kërcënim.

“PREGADITJA E VEPRAVE PENALE TERRORISTE OSE VEPRAVE PENALE KUNDËR RENDIT KUSHTETUES DHE SIGURISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS – Pejë/07.10.2023-12:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.