Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputetë në komunën e Drenasit, duke shtyrë Prokurorinë Themelore të Prishtinës të autorizojë Policinë e Kosovës për nisjen e hetimeve të mëtejshme.
Mediat kosovare bëjnë të ditur se Policia është ngarkuar të mbledhë informacione dhe prova për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje penale dhe kush mund të jenë personat përgjegjës. Dyshimet lidhen me dallime mes rezultateve fillestare dhe atyre pas rinumërimit.
Hetime të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera, përfshirë Ferizajn dhe Malishevën, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar rinumërim të plotë të votave të rregullta në disa zona për shkak të mospërputhjeve në votat e kandidatëve.
Rasti më i rëndë deri më tani është shënuar në Prizren, ku javën e shkuar u ndaluan 109 persona nën dyshimet për manipulim të rezultatit zgjedhor. Gjykata caktoi masën e paraburgimit njëmujor për 23 prej tyre.
Procesi i numërimit të votave përfundoi më 9 janar, ndërsa votat u përpunuan në qendrat komunale dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjatë këtij procesi, çdo fletëvotim kalon në disa nivele kontrolli, por dyshimet për manipulim lidhen kryesisht me fazën e leximit të votave për kandidatë, ku mund të ndryshohet verbalisht numri i kandidatit të votuar.
Ky problem nuk ndikon në rezultatin e partisë, por mund të ndryshojë ndarjen e votave mes kandidatëve brenda të njëjtës listë, çka përbën vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 51 për qind të votave dhe pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
