Dy vrasje masive në dy ditë në Serbi: A i paralajmëroi shkrimi i NYT këto ngjarje?

Dy ditët e fundit në Serbi u përshkuan me po kaq vrasje masive, duke lënë të vdekur së paku 17 veta.

Rasti i parë u shënua të mërkurën në një shkollë në Beograd, ku një nxënës 13-vjeçar, i identifikuar si Kosta K. qëlloi me armë zjarri ndaj shokëve e shoqeve të tij të shkollës duke lënë 8 bashkëmoshatarë të vdekur dhe një punonjës sigurimi.

Ai u kap nga organet e rendit.

Ndërkaq të enjten mbrëma, një rast tjetër ndodhi në fshatin Dubonë të komunës së Mladenovacit, Serbi, ku një i ri 21-vjeçar me inicialet U.B. shtiu me armë zjarri duke lënë të vdekur së paku tetë persona dhe duke plagosur mbi 10 të tjerë.

I dyshuari u kap nga policia pas disa orësh kërkimi.

E pikërisht në ditën kur ndodhi sulmi i parë, gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” botoi një shkrim të gjatë për lidhjet e kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, me huliganët e grupeve të tofozërive serbe të futbollit, por edhe me mafien.

Aty rrëfeheshin ngjarjet që kur Vuçiqi ishte pjesë e këtyre tifo-grupeve huligane nga fundi i viteve të ’80-ta.

Artikulli flet se si lidhjet e klanit kriminal të Velko Belivukut me udhëheqjen shtetërore serbe kishin ndodhur pikërisht në kohën kur në pushtet kishte ardhur SNS-ja dhe Vuçiçi në vitin 2012.

“Gjatë nëntë viteve në pushtet të Vuçiqit, huliganët serbë të futbollit – dhe bandat kriminale që mbivendosen me ta – janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme etnike të rajonit dhe kanë ndihmuar në nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet e tjera të Ballkanit. Disa prej tyre shprehin besnikëri ndaj Rusisë. Disa serbë i janë bashkuar grupit paraushtarak Wagner, i cili ka historinë e vet të punësimit të kriminelëve dhe ka postuar video rekrutimi në gjuhën serbe për luftën në Ukrainë. Ndonëse Vuçiqi e qortoi grupin, Serbia mbetet një lloj lidhje midis Rusisë dhe Perëndimit. E gjithë kjo e vendos Vuçiqin në një pozitë me fuqi të jashtëzakonshme. Në një krizë, ai mund të vendosë nëse rajoni i Ballkanit do të vendoset drejt paqes apo do të kthehet në dhunë”, raporton Klan.

“Nuk është rastësi që edhe Vuçiqi edhe Belivuku filluan në grupet e tifozëve të futbollit. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, stadiumet e futbollit në Serbi janë vende për pushtet në formën e tij më të keqe, një grup rekrutimi për milicitë e edhe për kriminelët. Stadiumet ishin vendmbledhjet e nacionalizmit etnik që shkatërroi Jugosllavinë dhe ato emocione të dhunshme i dhanë formë Vuçiqit dhe bashkëkohësve të tij. Edhe sot, t’i afrohesh një arene në një natë futbolli mund t’ju japë ndjesinë si të ecësh në një stuhi rrufeje. Oficerët e policisë rreshtohen përgjatë bulevardeve dhe ndërsa afrohesh, ka ekipe policie të militarizuara me parzmore dhe mburoja. Tifozët ndonjëherë këndojnë sharje që kujtojnë ato të përdorura gjatë fushatave të spastrimit etnik të viteve 1990. Besnikëria e ekipit merr një intensitet pothuajse fetar. Shefi ekzekutiv i “Crvena Zvezdës” të Beogradit, skuadrës më të njohur në Serbi, tha se ai ‘nuk është vetëm një ekip futbolli, ai është një ideologji, një filozofi dhe një simbol kombëtar. ‘Crvena Zvezda’ është rojtari i identitetit serb dhe besimit ortodoks’”, shkruan gazetari Robert F. Worth ndër të tjera në artikullin e gjatë të NYT.

Po ashtu, në këtë shkrim thuhet se marrëdhënia e Vuçiqit me të jashtëligjshmit shkon përtej Serbisë.

“Në vitin 2018, një biznesmen kosovar, i cili akuzohet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për trafik të gjerë të drogës dhe armëve, u akuzua për vrasjen e një politikani atje. Vuçiqi e mbrojti atë, duke e quajtur “një njeri që mbron popullin serb dhe vatrat e veriut të Kosovës”. Paradoksalisht, ndikimi i Vuçiqit në veri të Kosovës është pjesë e arsyes që Bashkimi Evropian e sheh atë si një partner të vlefshëm. Ai e tregoi atë fuqi në fund të vitit të kaluar gjatë një krize kufitare që për pak kohë kërcënoi të kthehej në konflikt të hapur”, shkroi gazetari Worth.

Në artikull përmenden edhe vrasjet mes grupeve të huliganëve serbë si dhe metodat e tyre të vrasjeve të tmerrshme./express/


Shtuar 5.05.2023 10:41