Ditën e djeshme, dy ngjarje të njëpasnjëshme me të njëjtët autorë kanë tronditur fshatin Gruemirë në Malësinë e Madhe.
Dy persona të maskuar me motor, mëngjesin e djeshëm, iu afruan banesës së familjes Kurtaj dhe qëlluan me shotgun kamerat e shtëpisë, më pas u larguan drejt një zone malore.
Pas disa orësh, gjatë mbrëmjes, të njëjtët persona u rikthyen nga zona malore, por këtë herë u përballën me tre djemtë e familjes Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me një automjet.
Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët, sapo e kuptuan se po ndiqeshin, qëlluan me breshëri në tokë dhe në ajër.
Ndjekja zgjati rreth 10 minuta, deri në momentin kur njëri prej autorëve u rrëzua nga motori, por arriti të largohej nëpër fushat e mbjella të fshatit.
Policia e Malësisë së Madhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa tre djemtë e familjes Kurtaj, në deklaratën e tyre, thanë se nuk kanë dijeni se kush janë agresorët.