Dy qëlluan, njëri i priste në makinë, kamerat e sigurisë në Milot nuk punonin, a e dinin autorët?

Një atentat mafioz, i mirë-organizuar mbrëmjen e djeshme (22 korrik) në Milot la të vrarë Klisman Preçin dhe të plagosur rëndë biznesmenin Ylli Brahimi.

Tre persona kanë marrë pjesë në ekzekutimin e 27-vjeçarit dhe tentativës sërish të dështuar për të vrarë Brahimin.

Kanë qenë 2 persona që kanë qëlluar me automatik, ndërsa një person i katërt i priste në makinën tip “Audi” për t’i larguar nga vendi i ngjarjes. Makina u gjet e djegur në fshatin Gramëz dhe brenda saj u gjetën 3 kallashnikovë.

Preçi dhe Brahimi ishin duke pirë kafe në një lokal të Milotit, ndërsa autorët i kanë pritur rreth 10 minuta poshtë pallatit derisa kanë mbërritur.

I pari që është qëlluar, ka qenë Klisman Preçi pasi kishte zbritur nga makina e blinduar me të cilën lëviznin për të hapur derën e oborrit të pallatit.

Ajo që e bën më të vështirë zbardhjen e kësaj ngjarjeje është mosfunksionimi i kamerave të sigurisë që biznesmeni Ylli Brahimi kishte montuar në banesën e tij. Në momentin e ekzekutimit, mësohet se kamerat nuk punonin.

Megjithëse zona ku ka ndodhur vrasja është e mbuluar nga kamerat e sigurisë, çuditërisht asnjëra prej tyre nuk ka punuar. Pajisja DVR rezulton të ketë qenë e fikur dhe nuk dihen arsyet se pse kamerat nuk ishin në gjendje shërbimi.

Ka shumë mundësi që autorët kanë pasur dijeni për mosfunksionimin e kamerave të sigurisë, ndaj planifikimi i vrasjes është bërë pikërisht në derë të shtëpisë.

Të dy personat lëviznin “Toyota” të blinduar “Land Chrysler”, pasi më parë i kishin shpëtuar atentateve mafioze.

Si i shpëtoi Ylli Brahimi atentatit në janar të vitit 2021

Ylli Ibrahimi i ka shpëtuar një atentati të bërë në janar të vitit të shkuar. Atentatorët e biznesmenit, mbi të cilin u zbrazën plot 20 plumba nga automatiku ‘Scorpions’, ndoqën rrugën Tiranë-Milot e më pas u zhdukën drejt Burrelit, pa u ndaluar nga asnjë efektiv policie.

Dy personat, që u shfaqën me ‘Suzuki’ e me maskë në kokë në qendër të Milotit, janë nisur nga Tirana. Kamerat e aeroportit të Rinasit kanë pikasur dy të rinjtë e veshur me ngjyrë blu, që kalojnë pranë tij në drejtim të Milotit.

Pasi mbërrijnë në Milot, të rinjtë qëllojnë biznesmenin Ylli Ibrahimi, të cilin e kapën plot shtatë plumba në gjymtyrët e poshtme, e më pas u zhdukën. Edhe pse ngjarja ndodhi në orët e paradites, konkretisht në orën 11:57, dy autorët kanë përshkuar kilometra të tëra rrugë, të pashqetësuar.

Mos ndalimi i tyre nga uniformat blu ka bërë që të rinjtë të mbërrijnë në destinacionin të cilin e kishin paracaktuar për tu fshehur pas krimit, duke lënë pas misterin e identitetit të tyre dhe biznesmenin Ibrahimi të shtrirë në tokë. Vetë biznesmeni që ra pre e këtij atentati të ndodhur më 13 janar mohoi aso kohe të kishte konflikte dhe ishte shprehur se nuk e ka aspak idenë se kush qëndron pas sulmit të organizuar.

Si i shpëtoi Klisman Preçi atentatit në maj 2022

Më 14 maj të këtij viti, Blerim Preçi u qëllua me armë rreth orës 20:00 teksa lëvizte me një makinë tip “ML” në të cilën ishte pasagjer edhe kushëriri i tij Klisman Preçi. 28-vjeçari Blerim Preçi, dyshohet se është ndjekur për disa kohë dhe autorët i dinin lëvizjet e tij.

Autorët të cilët lëviznin me një makinë “Audi” raportohet se i janë afruar makinës së të riut nga Miloti duke dalë paralel dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij. Sapo ka dëgjuar të shtënat Blerim Preçi ka frenuar makinën dhe më pas është hedhur në lëvizje e sipër. Makina ka vijuar të ecë dhe ka dalë jashtë rruge pas disa metrash./Abcnews.al/