Rrjedhë tronditëse mori vrasja e Liridona Ademajt tri netë më parë në Prishtinë. Pasi fillimisht u dyshua se ajo ishte vrarë nga disa grabitës, më vonë u zbulua se ishte bashkëshorti i saj ai që kishte porositur ekzekutimin.
Ky i fundit u arrestua, se bashku me personat që kishte paguar për vrasjen, teksa gjithçka ndodhi kur fëmijët e çiftit ishin në makinë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe familja e Liridonës.
Vëllai i saj ka thënë se trupi i Liridonës do të zhvarroset nga varrezat e familjes Murseli dhe u ka dhënë atyre dy ditë kohë.
“S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë do zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, ka deklaruar Ademaj për Insajderin.
“I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, ka deklaruar ai.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Dyshohet naim Murseli se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë dhe pjesa tjetër pas vrasjes. Zyrtarisht ende nuk është konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen, ndërkohë që ky i fundit ka pranuar fajësinë.
Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me atë rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit. Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.