‘Dy ditë e netë të vështira nga zjarret, flakët po vihen nën kontroll”, Rama thirrje banorëve: Tregohuni të kujdesshëm

Kryeministri Edi Rama tha sot se fatmirësisht zjarret po vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna për shuarjen e tyre për çdo riaktivizim të mundshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se “dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme”.

“Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama i bëri thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve.

“Për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal”, tha Rama.

Gjate 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.


Shtuar 13.08.2025 11:55

Tags: ,