Do të ishte e hershme të flitej për humbje të Rusisë në Ukrainë. Por luftën e gazit kundër Gjermanisë, Putini e ka humbur, kjo mund të thuhet me siguri. Republika Federale ka rezervat më të mëdha të gazit në Europë. E nëse niveli i mbushjes pikërisht në pikun e ngrohjes në janar ende është në nivelin 90%, kjo do të thotë: mungesa e furnizimeve me gaz rus nuk përbën më rrezik.
Në kohën kur filloi sulmi rus në Ukrainë, Gjermania importonte më shumë se gjysmën e gazit nga Rusia. Për Moskën shantazhi ndaj Gjermanisë ishte thelbi i presionit ekonomik për BE, me qëllim që të minohej mbështetja e europianëve për popullin ukrainas dhe ushtrinë e vendit.
Muaji i pestë pa gazin rus i Gjermanisë
Ky plan dështoi. Gjermanët nuk po ngrijnë në shtëpitë e tyre, nuk duhet të mbyllin fabrikat. Edhe në Berlinin politik ka ikur frika, se Moska për hakmarrje do ta paralizonte Gjermaninë. Jo, Republika Federale në kuadër të sanksioneve të BE është shkëputur vetë nga qymyrguri dhe nafta ruse, dhe nga fundi i gushtit nuk merr më as gaz nga Gazpromi.
Me fjalë të tjera: gjermanët jetojnë në muajin e pesë pa gazin rus që mendohej se ishte kaq i pazëvendësueshëm dhe ekonomia më e madhe në Europë duket se po ecën mirë edhe pa të. Vërtet që pritet një recesion ekonomik, që nuk të habit para ndërprerjes së zinxhirëve të vjetër të furnizimit dhe çmimeve shumë të larta të energjisë. Por ka tregues që të thonë, se rënia është më e dobët se mendohej. Madje edhe inflacioni rekord po ngadalësohet. Ndërkohë Berlini po e zgjeron mbështetjen për Kievin, gjë që mund të shihet si një provë jo e drejtpërdrejtë për dështimin e “operacionit të posaçëm të gazit” të Putinit. Në fillim të janarit qeveria gjermane e ndryshoi qëndrimin dhe është gati për dërgimin e tankeve mbrojtës. Mund të pasojnë edhe tanke luftarakë, debati publik për këtë ka marrë hov.
Autoritetet heqin sinjalin e alarmit
Që Putini e ka humbur luftën e gazit duket edhe nga deklaratat e qarta, që iu dhanë ekonomisë dhe popullsisë nga dy burime: nga agjencia shtetërore e energjisë dhe dega e sektorit energjitik. Agjencia Federale e Rrjetit tha zyrtarisht se “situata e mungesës së gazit gjithnjë e më shumë nuk ka gjasa”. Kreu i kësaj agjencie, Klaus Müller pret fundin e luhatjeve të çmimit dhe stabilizimin në këtë nivel. Ky nivel është patjetër shumë më i lartë, se më parë, por disa herë më i ulët se vlerat rekord në verë. Me këto çmime degët e industrisë gjermane që konsumojnë shumë energji mund të fillojnë të planifikojnë, sipas Müller. Pak pas kësaj edhe Shoqata e Rezervave të Gazit dhe Hidrogjenit, INES në konferencën e shtypit në janar bëri parashikimet për vitin 2023. Me një mot me temperatura normale gjendja e rezervave të gazit në fund të dimrit pritet të jetë rreth 65%. Një situatë e mirë për verën 2023 dhe mbushjen 100% të rezervave në shtatorin e ardhshëm. Pra dega e energjisë dhe autoritetet i sigurojnë sipërmarrjet dhe familjet gjermane se nuk priten probleme as këtë dimër dhe as dimrin e ardhshëm. Me kusht që “të vazhdohen kursimet e forta të konsumit të energjisë edhe më tej.”
Gazprom humbi tregun më të madh
Ekspertët e INES kanë bërë parashkime edhe për rastin më të disfavorshëm: Moti bëhet shumë i ftohtë, oferta e gazit të lëngshëm nga Azia për shkak të kërkesës së lartë bie, Rusia ndërpret të gjitha furnizimet me gaz në Europë, gjë që do të vinte në përdorim ndarjen solidare të rezervave gjermane me vende të tjera të BE. Por edhe para një skenari të tillë në Gjermani nuk do të pritej një krizë e fortë e gazit këtë dimër dhe dimrin e ardhshëm.
Deklaratat e sektorit energjitik dhe ekspertëve janë provë bindëse se Putini e ka humbur vërtet luftën e gazit. Gjermania e filloi vitin 2023 pa gazin rus, dhe pa frikë për këtë humbje. Pikërisht këtu qëndron dështimi i Kremlinit: Gazi rus nuk shërben më si armë kundër Gjermanisë. Por pasojat e kësaj lufte të humbur janë më të ndjeshme për Gazpromin, që humbi tregun më të rëndësishëm jashtë vendit. Ende para një viti gjermanët blenin një çerekun e eksporteve të Gazpromit.