Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, raportoi sot mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2023, në Këshillin Kombëtar të Integrimit.
Dumani u shpreh se SPAK, ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri dhe rritjen e numrit dhe përmirësimin e hetimeve dhe konfiskimeve të pastrimit të parave.
Sipas tij, “SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë edhe hetimeve pasurore dhe luftës kundër pastrimit të produkteve të veprës penale. Në këtë drejtim, Dumani theksoi se është bërë funksional sektori i hetimit financiar, si dhe janë rritur numri i sekuestrove dhe vlerave të pasurive të sekuestruara.
Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Dumani theksoi se SPAK ka rritur numrin e çështjeve penale të cilat kanë për objekt hetimin e subjekteve të profilit të lartë, por edhe të profilit të mesëm për veprën penale të korrupsionit.
Në luftën kundër krimit të organizuar, sipas tij, regjistrohet bashkëpunim shumë i mirë me të gjitha vendet e BE-së dhe më gjerë.
“Sipas screening dhe progresraportit 2023, vlerësohet se lidhur me luftën kundër korrupsionit ka përparime, por mbetet një fushë shqetësuese. Këtu vlerësohet SPAK për hetimet që ka kryer për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, por në përgjithësi korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, tha ai.
Duke u ndalur te plotësimi i rekomandimeve të BE-së nga ana e SPAK, Dumani bëri të ditur se “në adresë së SPAK janë adresuar 3 rekomandime”.
“Një nga rekomandimet është përgatitja e një udhëzimi të përgjithshëm për hetimin financiar. Ne kemi ngritur pune për këtë dhe këtë rekomandim mund ta konsiderojmë të ezauruar”, tha ai.
Një tjetër rekomandim, sipas tij, “është prioritizimi i çështjeve dhe ulja e çështjeve të mbetura.
Kjo është shqetësuese për SPAK, ngarkesa e madhe dhe sidomos dosjet e mbartura. Për përmbushjen e këtij rekomandimi SPAK në bashkëpunim me projektet e asistencës ndërkombëtare do të përgatisë një strategji të veçantë”, tha ai.
Po ashtu, Dumani adresoi edhe disa problematika zgjidhja e së cilave do të lehtësonte punën e SPAK.
Ai u ndal te mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.
Një tjetër problem, sipas tij, është mungesa e këshilltarëve ligjorë. “Pasja e këshilltarëve ligjorë do të ndihmonte prokurorët e posaçëm që janë të angazhuar me hetimet paraprake”, tha ai.
Dumani evidentoi edhe problematikën që lidhet me rënien e referimeve kundër korrupsionit nga institucionet publike. “Evidentohet një rënie prej 40% krahasuar me vitin 2022. Këtu bën përjashtim Policia e Shtetit që ka ruajtur trend të njëjtë dhe vazhdon të jetë aktive, institucionet e tjera kanë rënie”, tha ai.