Duhen bërë ndarjet publike? Debati; nga ndarjet me sherre tek ato në paqe!

Sot në ‘Abc e Pasdites” u diskutua mbi qëndrimet që mbajnë pasi i japim fund një marrëdhënie dashurie. Ka nga ata që urrehen, bllokohen në rrjete sociale e flasin keq për ish partnerin. Ka dhe nga ata që mbajnë relata miqësore edhe pas fundit.

Të ftuarit në studio me Ermal Peçin ndan opinionet e tyre. Një ndër to, arkitektja Egla Harxhi, tha se ndarjet nuk janë aspak të thjeshtë në momentin kur ka kujtime të bukura dhe shumë dashuri në mes.

“Unë kam pasur rastin të shoh midis miqve të mi, pas 14 vjetëve martesë u ndanë miqësisht sepse nuk kishin më tërheqje. Ishin më tepër miq sesa burrë e gra. U ndan qetë dhe sot e kësaj dite janë aty për njeri-tjetrin. Është kthyer në marrëdhënie familjare. Mosha ka të bëj, në periudha të caktuara kemi nevoja të ndryshme dhe ndikon në marrëdhëniet që duam të krijojmë. Lidhjet që përfundojnë në mënyrë dramatike mund të evitohen me komunikim.”

Ndërkohë një tjetër i ftuar, Krist Aliaj Dragot, tha se kur je në një lidhje toksike dhe fundi me shumë probabilitet do të jetë i tillë. Ai i dënoi reagimet “e shëmtuara” ku partnerët ofendojnë njëri-tjetrin, madje shprehu se shpesh herë rrjetet sociale bëhen mekanizma manipulimi. Për pasojë Krist tha se nuk është dakord me bërjen publike të ndarjes nga partneri.

“Mendojmë që sherret janë positive, dramat janë pozitive. Në momentin që ndërton dhe rri në një marrëdhënie toksike, dhe fundi ashtu do të jetë. Në Shqipëri nuk ka kulturë romantike, dhe ajo që është, është toksike. Një femër që kam pasur, e doja shumë, ndarja ishte shumë e qetë. Mediat sociale përdoren për skena xhelozie, shantazhi, manipulacione emocionale deri në fizike. Publike më duket shumë abuzim, e tepërt. Unë nuk do e bëja.”

Një mendim të ngjashëm shprehu edhe moderatorja Iva Kalemi, e cila specifikoi se në konceptimin e saj publikimi i ndarjes në mediat sociale është i pavlerë dhe mund të kthehet edhe në dëmtues për personin apo partnerin.

“Të jetuarit është mision personal. Lidhjet e dashurisë, marrëdhëniet në punë apo shoqëria janë puzzle. Rrugëtimi ynë është vetëm. Edhe ndarja, pavarësisht mbështetjes, e kalon vetë si proçes. Unë jam në teori shumë dakord, ndarje miqësisht nuk ka. Ndoshta s’ka arrogancë apo veprime që dëmtojnë njëri-tjetrin. Vërtet sillemi me rrjetet sociale, por është shumë personale dhe mund të të bëj keq kjo situatë.”

Nga ana tjetër pedagogia Helena Halilaj tha se duhet të tregohemi më tolerant me njëri-tjetrin. Sipas saj, brezat i përjetojnë marrëdhëniet romantike ndryshe dhe për pasojë kanë më tepër kohë, por disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë.

“Ne zgjedhim personin, nuk na zgjedhin. Dhe ndodh për të kaluar mirë, jo për trysni apo ego personale. 3 emërues të përbashkët që duhet të kemi; qetësinë, durimin dhe dashurinë. Janë tre elementë shumë të fortë.”


Shtuar 5.10.2022 18:25