“Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku në gju. Do bëj lajm në media”, Si e kërcënoi Dan Hutra babain e ish-bashkëjetueses një vit më parë

“Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia”. Më këto fjalë e ka kërcënuar Dan Hutra, babanë e ish të fejuarës së tij, Elena Hysa, në qershor 2022, përpara se të arrestohej për dhunë në familje.

Gazetarja Klodiana Lala siguroi dosjen hetimore, ku zbardhen rrethanat e ngjarjes ku ish-bashkëjetuesja e denoncoi atë për dhunë.

“Më datë 16.06.2022, rreth orës 12:00 shtetasja Elena Hysa, ka njoftuar shërbimet e policisë se ndihet e rrezikuar nga shtetasi Dan Hutra, i cili ndodhet në banesën e saj.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasen Elena Hysa, prindërit e saj Zaim dhe Kujtime Hysa si dhe i fejuari Dan Hutra.

Është bërë shoqërimi në Komisariatin e Policisë shtetasit Dan Hutra ndërsa shtetasja Elena Hysa është paraqitur për të bërë kallëzim penal.

I është marrë kallëzimi dhe pyetur rreth ngjarjes kjo shtetase e cila ka deklaruar se prej një muaji është fejuar me shtetasin Dan Hutra dhe ka filluar bashkëjetesën me të. Ajo ka treguar disa episode ku është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ky shtetas në ditë të

ndryshme si dhe është trajtuar si “skllave” nga shtetasi Dan Hutra. Ai kërkonte që t’ia hiqte ndhe vishte çorapet nga këmba, mëngjesin dhe kafen t’ia çonte te krevati”, thuhet në dosje.

Vajza ka denoncuar se është dhunuar nga ish i dënuari me të cilin kishte krijuar një lidhje.

“Ka treguar se është goditur me shpulla në prezencë të mamasë së tij shtetases Mislime Hysa. Para disa ditësh ka pasur disa shqetësime shëndetësorë dhe së bashku me vjehrrën e saj kanë shkuar në farmaci ku kanë marrë një test shtatzënie. Pasi e ka aplikuar ka rezultuar

pozitive dhe menjëherë ka telefonuar Danin për ti dhënë lajmin. Ai e ka pritur shumë mirë dhe kanë organizuar një darkë familjare ku ka qenë të ftuar të dy familjet. Pas kësaj kanë bërë një eko barku dhe disa analiza”, thuhet në dosje.

Për arsye që mbeten të paqarta, ai ka telefonuar spitalin dhe më pas duke pretenduar se Elena ishte e sëmurë ka kërcënuar familjen e saj.

“Në mbrëmje Dani ka komunikuar me spitalin ku ka marrë rezultatin e analizave por nuk ka treguar gjë. Në mëngjes Dani i ka thënë “më ke hy në gjak”, por nuk i ka treguar arsyen. Ai i kishte thënë familjarëve të tij se Elena ishte e sëmurë dhe jo shtatzënë pasi ato e telefonin për ta pyetur si ishte gjendja e saj. Duke u ndodhur në këtë situatë është larguar nga banesa dhe ka shkuar në banesën e prindërve ku më pas ka vajtur dhe shtetasi Dan Hutra duke drejtuar babait të saj me fjalët “Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia.”

Përpara se të largohej i ka kërkuar babait të vajzës ti kthente 4 (katër) mijë euro të cilat ishin shpenzimet e fejesës.

Ditën e djeshme nëna e saj shtetasja Kujtime Hysa i ka dhënë 1850 (një mijë e tetëqind e pesëdhjete) euro por ai ka telefonuar përsëri duke kërkuar pjesën tjetër e duke kërcënuar me nfjalët që nëse nuk i gjejnë do vij te shtëpia e do ta bej vendin gjak.

Pas kësaj telefonate ka shkuar te shtëpia e tyre dhe ka kërkuar pjesën tjetër duke thënë “Nëse nuk mi jepni do ta bëj vendin gjak, nuk do mbaj kopilin tuaj, do flasin mediat botërore për mua”.

Ndër të tjera ajo ka treguar se ndihet e frikësuar për jetën e saj dhe të familjarëve pasi shtetasi Dan Hutra është dënuar më parë për vrasjen e ish bashkëshortes së tij”.

Për këtë ngjarje, gjykata e la nën masën e “Arrestit me Burg”.


Shtuar 1.03.2023 17:57