Drithërat ukrainase – a është Kroacia zgjidhja për urinë?

Lajmi ka mbërritur edhe në portalet më të rëndësishme gjermane online. Kështu javën që shkoi tagesschau.de publikoi lajmin në krye të faqes së saj të internetit për eksportin e mundshëm të grurit ukrainas përmes Kroacisë: “Ukraina dhe Kroacia me sa duket kanë rënë dakord për përdorimin e porteve kroate në Danub dhe në bregdetin e Adriatikut për eksportin e grurit ukrainas.”

Media gjermane, përndryshe edicioni online i emisionit kryesor gjerman të lajmeve të programit të parë televiziv ARD, i referohet në tekst deklaratës së ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba – pas një bisede me kolegun e tij kroat Goran Grliq Radman në Kiev, e cila konfirmohet edhe nga ministria e Jashtme e Kroacisë. Teksti përmend edhe fjalët e Kuleba se “çdo gjë që ndihmon eksportet ndihmon në sigurimin e furnizimit me ushqim në botë” dhe se të dy palët tani do të punojnë së bashku për të gjetur rrugët më efikase.

Sfidat e mëdha logjistike

Por kjo e fundit mund të marrë pak kohë. Vetëm shikimi i hartës tregon se cilat probleme të mëdha logjistike do të duhej të kapërceheshin për të realizuar këtë ide.

Gruri ukrainas mund të transportohej në Danub nëpërmjet dy porteve të Ukrainës: Islail ose Reni, ky i fundit u bombardua së fundmi nga Rusia. Një tjetër mundësi është transportimi i drithërave nëpërmjet Detit të Zi në portin rumun të Konstancës dhe prej andej në Danub. Më pas ajo ndjek më shumë se 1000 kilometra në rrjedhën e sipërme përgjatë Danubit deri në Vukovar.

Por porti i Vukovarit është i vogël. Aktualisht, kapaciteti i tij total i trajtimit është maksimumi 1.2 milionë tonë ngarkesë në vit – duke përfshirë, për shembull, kontejnerët. Dhe aktualisht ka vetëm një hambar me kapacitet 10 mijë tonë. Për krahasim: sipas të dhënave nga Bashkimi Evropian, Ukraina eksportoi më shumë se 30 milionë tonë grurë dhe ushqime të tjera nga gushti 2022 deri në maj 2023 në kuadër të Marrëveshjes për një korridor të sigurt për anijet në Detin e Zi. Kjo sasi u transportua nga më shumë se 1.080 anije. Kapacitetet e Vukovarit nuk do të luanin një rol serioz atje.

Një gjest simbolik i mbështetjes?

Dhe pastaj shtrohet pyetja se si të dorëzohen ato sasi të mëdha gruri në portet në Rijekë, Zarë apo Split. Kamionët më të mëdhenj mund të ngarkojnë maksimumi 45 tonë ngarkesë. Për transportin e një milion tonësh, kjo do të thoshte 22 mijë kamionë të tillë.

Një opsion tjetër është hekurudha. Por është iluzore të mendohet se hekurudhat kroate, të cilat nuk janë në gjendje të organizojnë as një trafik normal pasagjerësh, do të jenë në gjendje të përballojnë atë sasi mallrash – dhe atë në shina që janë në gjendje të keqe dhe kryesisht të paelektrizuara.

“Për këtë transport do të duheshin investime të mëdha dhe shumë kohë, me vite. Jo vetëm hekurudha, as ato porte që po diskutohen tani nuk janë të pajisura për të transmetuar sasi kaq të mëdha ngarkesash me shumicë. E gjithë kjo do të ishte shumë e shtrenjtë”, thotë Ljubo Jurçiq, ish-profesor në Fakultetin Ekonomik në Zagreb dhe ministër i Ekonomisë në qeverinë e Raçanit, në një intervistë për DW. Ai është i bindur se mbi të gjitha “Kroacia donte të shprehte simpatinë me Ukrainën, për të treguar se është në anën e saj dhe për ta mbështetur atë. Është më shumë një gjest simbolik i mbështetjes.”

Ana financiare

As në aspektin financiar, eksporti i grurit përmes Kroacisë nuk do të thoshte shumë për Ukrainën. Çmimi aktual i drithit në tregun botëror është rreth 350 euro për ton, kurse misri 260 euro/t. Me një milion tonë në vit, kjo do të thotë një fitim prej rreth 300 milionë euro, ndërsa vetëm një pjesë e tij do të shkonte për fermerët ukrainas, sepse fitojnë edhe transportuesit dhe shitësit me shumicë.

Në të njëjtën kohë, sipas platformës gjermane të statistikave Statista, nga fillimi i luftës deri në maj të këtij viti, vetëm BE-ja i dha Ukrainës më shumë se 25 miliardë ndihma financiare, ndërsa SHBA më shumë se 24 miliardë. Ka dhe një sërë vendesh të tjera që dhanë ndihmë bilaterale – vetëm Gjermania, për shembull, 1.3 miliardë euro. Në këto shuma nuk përfshihet ndihma humanitare dhe ushtarake.

Sipas Jurçiqit, projekti i transportit të grurit ndoshta do të ishte një shpenzim më i madh për Kroacinë sesa do të kishte ndonjë efekt pozitiv për Ukrainën. “Kontributi i Kroacisë për Ukrainën në luftë është i parëndësishëm, më shumë simbolik. Kjo vlen edhe për lëvizjet e tjera që janë, para së gjithash, shprehje e mbështetjes simbolike – qoftë kur bëhet fjalë për helikopterët që dërgohen atje, qoftë kur bëhet fjalë për armë dhe municione të tjera. Ata ndoshta e përdorin këtë municion brenda një dite.” Në fillim të majit, u njoftua se Kroacia i kishte dhuruar Ukrainës 14 helikopterë Mi-8.

Një nxënëse shembullore evropiane

Por ky gjest i qeverisë kroate nuk është vetëm një mesazh për Ukrainën – ai synon të vërehet edhe nga Komisioni Evropian. “Kroacia ndonjëherë shpreh më shumë mbështetje për BE-në sesa kërkon vetë, e profilizon veten si një nga vendet brenda BE-së që është më e prirur ndaj politikës së Brukselit. Ndonjëherë Kroacia sillet sikur është më papë se Papa”, thotë ekonomisti dhe ish-ministri kroat i ekonomisë Ljubo Jurçiç.


Shtuar 7.08.2023 08:21