Dritë në Letër, Errësirë në Kabllo: Qarku i Shkurtër i Sigurisë Moderne

nga Ornela Çuçi

Pak kohë më parë, gadishulli Iberik u përfshi nga një ndërprerje masive e energjisë elektrike që zgjati disa orë, duke lënë miliona qytetarë në errësirë. Megjithëse shkaqet mbeten të paqarta, ngjarja provokoi një valë teorish të ndryshme – disa të bazuara në çështje teknike, të tjera të mbështetura në spekulime, dhe disa që ende qarkullojnë në tryeza të mbyllura të diskutimeve gjeopolitike.

Ngjarja solli në vëmendje një realitet të pakëndshëm: sistemi energjetik global është më i ndërlidhur, më kompleks dhe më i cenueshëm se kurrë më parë. Në të njëjtën linjë, edhe Shqipëria u përball së fundmi me ndërhyrje të rëndësishme në sistemet e të dhënave personale dhe qeveritare, duke ekspozuar në mënyrë të qartë shkallën e papërgatitjes përballë sulmeve kibernetike.

Këto episode janë shenja të një epoke të re pasigurie, në një botë që po përjeton një periudhë të zgjatur turbullimi dhe paqartësie. Nga pandemia globale te krizat e zinxhirit të furnizimit, nga lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme te ndryshimet klimatike që, megjithëse me ndikim të madh, janë lënë në harresë si pjesë e diskursit publik, e deri te transformimet digjitale të pakontrolluara – këto fenomene nuk përfaqësojnë më thjesht tranzicione, por një gjendje të vazhdueshme krize sistemike.

Brenda këtij peizazhi të fragmentuar dhe të tensionuar, energjia e pastër shpesh paraqitet si një zgjidhje universale – e përshkruar si e lirë, e pashtershme dhe gjithnjë e disponueshme. Por aktualisht, kjo premisë ekziston më tepër në prezantime sesa në realitetin praktik. Turbinat ndërtohen, panelet ngrihen, por pyetjet thelbësore shpesh mbeten pa përgjigje: çfarë ndodh kur fryn më pak erë? Kur dështon një server? Kur mungon një teknik në terren?

Megjithëse energjia e rinovueshme ka bërë përparime të konsiderueshme në aspektin ekonomik, infrastruktura që siguron funksionimin e saj të qëndrueshëm mbetet e paplotësuar. Problemi nuk qëndron më te mungesa e dritës, por te mungesa e rrjeteve të modernizuara, sistemeve të ruajtjes dhe kapaciteteve njerëzore për mirëmbajtje. Energjia është shndërruar nga një çështje teknike në një çështje sigurie kombëtare dhe mbijetese sociale.

Në të njëjtën kohë, edhe vetë natyra e kërcënimeve ka ndryshuar. Në vend të defekteve mekanike, kërcënimet vijnë nga algoritme të manipuluara; në vend të kabllove të djegura, nga fushata të organizuara dezinformimi. Kërcënimet hibride – që përfshijnë sulme kibernetike, sabotim fizik dhe destabilizim institucional – e kanë shndërruar energjinë në një nga objektivat strategjikë më të rëndësishëm globalisht. Në Evropë, kjo çështje po trajtohet si urgjencë në çdo vend.

Paradoksi është i qartë: ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të pastër prodhimin e energjisë, po e bëjmë gjithnjë e më të brishtë shpërndarjen e saj. Dhe ndërsa deklaratat për paqe dominojnë forume ndërkombëtare, kapitalet globale po zhvendosen gjithnjë e më shumë nga energjia e qëndrueshme drejt sektorit të mbrojtjes. Një shembull emblemë është Gjermania, e cila, me ardhjen e qeverisë së re, shpalli ambicien për t’u shndërruar në një superfuqi ushtarake – një deklaratë që u bë nga baza e saj e re ushtarake në Lituani.

Roli i institucioneve ndërkombëtare është transformuar gjithashtu. Nga dhurues fondesh, ato janë bërë arkitektë të sigurisë energjetike globale. Por këto përpjekje bien ndesh me realitetin në terren: mungesën e kuadrove të specializuara, rregullatorëve efektivë dhe vullnetit të qëndrueshëm politik.

Siguria energjetike nuk mund të mbështetet më vetëm në financimet e BERZH-it apo në dokumentet strategjike të UNDP-së. Ajo kërkon veprim konkret dhe të matshëm: diversifikim real të burimeve, sisteme të decentralizuara të ruajtjes së energjisë, eficiencë të detyruar, liberalizim të kontrolluar dhe, mbi të gjitha, forcim të kapaciteteve njerëzore. Këto nuk janë më zgjedhje politike, por parakushte funksionale për stabilitetin ekonomik dhe social. Në Shqipëri – ashtu si në shumë vende të rajonit – dilema mbetet e qartë dhe e përsëritur: “Kë të adresojmë më parë?!”, në një kontekst ku infrastruktura është e vjetruar, kuadrot teknike të pakta dhe planifikimi energjetik shpesh shteron në dokumente të papërkthyera në zbatim praktik.

Në mënyrë që tranzicioni energjetik të mos ngelet një shpresë e shtyrë në të ardhmen, por të bëhet një realitet i prekshëm, ai duhet të shkëputet nga retorika dhe të përqafohet si sistem. Një sistem i aftë të parashikojë, të absorbojë dhe të përballojë jo vetëm ngarkesat elektrike, por edhe streset ekonomike, politike dhe klimatike që e vënë në provë. Duhet të jetë një arkitekturë që reziston, por edhe që mëson – që rritet me krizat dhe nuk shembet prej tyre.

Ndërprerjet, mungesat e furnizimit, rrjetet e mbingarkuara nuk janë më skenarë të jashtëzakonshëm – janë skenarë bazë që duhet të përfshihen në çdo politikë publike. Sepse një shoqëri që humbet dritën – në kuptimin literal dhe metaforik – humbet edhe kontrollin mbi rrjedhën e saj historike. Në një epokë ku ndriçimi nuk është luks, por premisë për dinjitet, për zhvillim dhe për siguri, çdo minutë pa energji është një minutë më afër destabilizimit.

Në shekullin XXI, energjia nuk është më thjesht dritë. Nuk është thjesht elektriciteti që vjen nga një linjë transmetimi. Ajo është zinxhiri i padukshëm që mban gjallë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, administratën, sistemet e mbrojtjes dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Është strategji. Është mbijetesë. Është mburojë. Është baza mbi të cilën qëndrojnë institucionet, teknologjia dhe rendi publik. Dhe pa të, asnjë sistem tjetër nuk mund të funksionojë me qëndrueshmëri – asnjë plan afatgjatë nuk mund të ketë kuptim, asnjë reformë nuk mund të jetë e zbatueshme, dhe asnjë vizion nuk mund të realizohet.


Shtuar 2.06.2025 14:55