Dritan Goxhaj fiton betejën edhe në Gjykatën e Lartë, nuk do të ekstradohet në Hagë

Gjykata e Lartë, ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Apelit për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj. Prokuroria e Apelit, kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, që refuzonte ekstradimin e Dritan Goxhajt për llogari të Gjykatës Speciale në Hagë.

Dritan Goxhaj, u lirua nga qelia në seancën 10 tetorit 2023, ku ishte i pranishëm bashkë me avokatin e tij Ardjan Vishaj, i cili apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës për ekstradimin e tij.

Ka qenë gjyqtari Gent Shala, i cili ka vendosur refuzimin e ekstradimit për Goxhajn dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, u arrestua në 31 korrik nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Në janar të vitit 2023, ai publikoi një shkrim me titull “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” ku ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve që mbahen të fshehtë nga Gjykata Speciale.


Shtuar 9.07.2024 14:28