Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmologjik i Kosovës, ka deklaruar se gjatë javës së kaluar Kosova është goditur nga 7-8 tërmete, me shkallë të ndryshme të rihterit. Tërmeti më i madh ishte ai i së dielës, që shkalla e tij ishte 3.4.
Në emisionin SOT të KTV-së, Mustafa deklaroi se Kosova është zonë “e nxehtë” për gjenerimin e tërmeteve, dhe se në vitet e ardhshme mund të rrezikohet nga dridhjet në deri në 6.3 shkallë të rihterit.
“Duhet të adaptohemi me këtë gjendje. Energjia që akumulohet për vite të tërë do të dalë në sipërfaqe dhe duke u liruar. Po jetojmë në një zonë tërmetesh, ka zona edhe më të “nxehta” për tërmete siç janë Turqia, Greqia, Italia, Shqipëria”, ka deklaruar Mustafa.
Ai theksoi se qytetarët janë të shqetësuar dhe shqetësimi i tyre është se sa janë të mbrojtur në objektet apo ndërtesat ku jetojnë.
“Kjo tregon se në të kaluarën por edhe tani Kosova mund të goditet me një magnitudë prej 6.3 shkallë të rihterit, shqetësimi i qytetarëve është krijuar sepse të gjithë e dinë se një dekadë pasluftës kanë qenë disa ndërtime të kryera në mënyrë të egër, pa respektuar kriterin e ndërtimit”, tha ai.
Istog, Peja dhe Prizreni janë disa prej zonave më të rrezikuara nga tërmetet, që edhe vitet e kaluara janë goditur.
“Janë disa zona, veriore, Istog, Peja, Prizreni, që në të kaluarën është goditur me tërmete deri në 6.0 të rihterit, është zona në Gjilan, janë dy zona me intensitet më të ulët, Prishtina dhe Drenica, që mund të gjenerojnë tërmete deri në 6 shkallë”, ka tutje sizmologjiku.
“E përjetuam tërmetin e Shqipërisë, tërmetet e mëdha edhe jashtë territorit mund të shkaktojnë dëme në objekte në Kosovë. Çdo ndërtim duhet t’u përmbahet kritereve të ndërtimit”, shtoi ai.
“Tërmeti kur godet është i shkurtër, 5-15 sekonda, në ato sekonda personi duhet të jetë i sigurt dhe të mos krijojë panik. Të gjej mbrojtje, kur ndalet tërmeti, duhet të dilet në mënyrë të organizuar nga ndërtesa dhe të dilet larg”. /koha.net