Drejt “41 BIZZ”-it/ U kapën në të njëjtin sektor dhe me telefona, ndahet grupi i Laert Haxhiut në burg

Tre anëtarët kryesorë të grupit të Laert Haxhiut, janë ndarë në sektorë të ndryshëm që vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.

Vendimi për ndarjes dhe diferencimin e tyre është marrë nga Drejtori i burgut të Drenovës, ndërsa Laert Haxhiu, që prej datës 29 qershor 2025 është futur në izolimin e këtij burgu.

Ndërkohë pritet që kreu i SPAK, gjatë kësaj kohe ti propozojë komisionit të posaçëm, për izolimin në rregjim “41 Bizz” të 3 anëtarëve të këtij grupi kriminal Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Korçës, ka nisur hetimet për ish-Drejtorin e Burgut, Fatjon Fasho dhe ish-shefin të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli, të cilët janë kallëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ky grup vepronte në disa qytete si Lushnjë, Tiranë, Pogradec, Durrës, Tepelenë, Peqin, Korçë dhe Greqi, duke kryer krime të ndryshme nga shitja e lëndëve narkotike, vjedhja, gjobëvëniet, e deri tek krimet e rënda si shkatërimi i pronës me eksploziv dhe vrasjet.

Sipas një raporti të publikuar disa ditë më parë nga “Ora News”, e gjithë banda ishte akomoduar në një sektor dhe me dhoma ngjitur nga njëra-tjetra.

Në dhomën Nr.4, dhomën Nr.5 dhe dhomën Nr.6, qëndronin të dënuarit Laert Haxhiu, Orgest Bilbili, Anterio Kaloshi, Vladimir Kurti dhe Xhensi Lipo.

Por një kontroll “blic” nga skuadra operacionale e Policisë së Burgjeve, çoi në kapjen e 4 aparateve telefonike të markave “Iphone” dhe “Samsung”, kufje me bluetuth dhe karikusa.

Kjo situatë çoi në një skandal të vërtetë, pasi drejtuesit kryesorë të grupit të Lushnjës, ishin përqëndruar së bashku në një sektor të sigurisë së lartë, duke pasur të gjithë aparate telefonike të markave të fundit.

Për më tepër, raportet e shërbimit flasin se para këtij skandali të rëndë, një incident tjetër ka ndodhur në këtë sektor, pasi një femër me emrin Z…, ka hyrë për të zhvilluar takim special me një të dënuar tjetër, por në fakt në dhomë takimi është kryer me Laert Haxhiun.

Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi vuajnë dënimin me burg përjetë në burgun e sigurisë së lartë në Korçë, pasi janë dënuar të tre për akuzën e vrasjes së Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2017, ku mbetën të plagosur dhe dy persona të tjetër.

Ndërkohë ndaj Haxhiut dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij, janë dhe dy procese gjyqësore të hapura në prokurorinë e posaçme SPAK, ajo e vrasjes së Besnik Hidës, ku Laert Haxhiu ka vepruar së bashku me Orgest Bilbilin, Ardian Ahmetin i njohur si “Pepe” dhe persona të tjerë.

Ndërsa dosja tjetër që lidhet me Laert Haxhiun, është ajo e vrasjeve seriale, vjedhjeve, shkatërrimit të pronës me ekspluziv të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, ku i penduar është bërë Artan Tafani. /Ora News


Shtuar 10.07.2025 10:49