Ditën e sotme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për përjashtimin e trupës gjykuese që po shqyrton çështjen “Partizani”.
Një javë më parë, përfaqësuesi ligjor i kryedemokratit, u shpreh se gjyqtarët për të shqyrtuar dosjen e Sali Berishës, duhet të caktohen nga jashtë GJKKO-së.
Kështu trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, do të vijojë shqyrtimin e dosjes.
Në pretendimet e paraqitura nga të pandehurit, këta gjyqtarë nuk garantojnë pavarësi dhe paanshmëri, duke qenë se monitorohen, përgjohet dhe mbikëqyren nga SPAK, që është palë në këtë proces.
Më herët, relatores së trupit gjykues, Elsa Ulliri, iu refuzua kërkesa për dorëheqje nga çështja nga zv/kryetari i GJKKO.
Seanca e radhës për dosjen “Partizani”, është caktuar të zhvillohet më 15 shtator.
Ish kryeministri Sali Berisha, akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur janë marrë dhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.