Dosja “Partizani”, Berisha sot në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje”

Këtë të hënë, ish-kryeministri Sali Berisha, do të paraqitet në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën Partizani.

Kreu i PD-së, po gjykohet me akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.

Herën e kaluar që ishte në SPAK, Berisha vijoi sulmet ndaj gjyqtares së hetimeve paraprake Irena Gjoka , për të cilën kërkoi shkarkimin nga detyra me pretendimin se ka fshehur dënimin dhe dëbimin nga Greqia për falsifikim dokumentesh.

Gjithashtu, Berisha tha se i ka kërkuar edhe KLGJ-së që të shqyrtojë mandatin e saj.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues, sipas prokuroreve, ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Pak ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën e Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e sekuestros për pasuritë. Ndërkohë seanca e radhës për aferën Partizani në GJKKO do të mbahet më 10 nëntor ora 11:00.

Tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.

Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.


Shtuar 3.11.2025 08:52