Dosja Nr.456 që zhveshi nga akuzat Oruçin, SPAK hije dyshimi për Litën e gjyqtarët. Pushoi çështjen 3 muaj pasi shkoi në Kukës

Një dosje që mban Nr.456 në prokurorinë e Kukësit, pritet të bëhet objekt i verifikimeve nga prokuroria e posaçme SPAK, pasi roli i drejtuesit të prokurorisë Xhevahir Lita dhe zv/drejtueses Enkeleda Hoxha,(aktualisht drejtuese) është mjaft i dyshimtë.

Çështja flet për protagonizmin e ish-Kryetarit të Qarkut Kukës, Abedin Oruçi, në një ngjarje kriminale, që ka sjellë rrezikimin e jetës së punonjësve të policisë, të cilët shkuan për ta arrestuar.

“Ora News” mëson se patrulla e policisë u përball në Janar 2021 me rezistencë, dhunë dhe përdorim të armëve të një grupi personash si Abedin Oroçi, Eglant Ollomani, Gazmend Oruçi, Petrit Oruçi, Besmir Muçmata, Ermir Markaj, Zekria Shehu dhe Behar Duraku.

Si rezultat i kësaj rezistence, objektivi i aksionit policor, Oruçi, ka mundur të largohet duke mos u arrestuar. Ndërsa disa prej policëve u lënduan gjatë përleshjes.

Në 14 Janar 2021 Gjykata e Kukësit vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Oruçin, ndërsa për 7 personat e tjerë gjykata miratoi masën detyrim paraqitje.

Hija e dyshimit për implikim në veprime korruptive të dy prokurorëve dhe dy gjyqtarëve të Kukësit, është ngritur pas shuarjes së masës së sigurisë arrest në burg për Abedin Oruçin si dhe pushimin e menjëhershëm të akuzave për 7 personat e tjerë.

Këto veprime janë kryer sapo në Kukës, ka shkuar drejtues prokurorie Xhevahir Lita, i cili brenda një periudhe 3 mujore ka zgjidhur dosjen penale nr.456 në favor të Oruçit dhe grupit të tij që sulmoi dhunshëm policinë.

Lita mori detyrën si drejtues i prokurorisë së Kukës në datën 5 korrik 2021, pas arrestimit për korrupsion nga SPAK të drejtuesit të mëparshëm të kësaj prokurorie, Edmond Kariqi.

Ndërsa në muajin Shtator ai ka vendosur të pushojë dosjen penale për Oruçin dhe 7 të tjerët, dhe kërkesa e tij për pushim drejtuar gjykatës është miratuar nga gjyqtari Sami Ujkashui në 18 Tetor 2021.

Oruçi, kërkohej nga policia dhe prokuroria e Kukësit për “Mbajtje pa lejë të armëve”,”Kanosje për shkak të detyrës”, “Ndërtim pa lejë” dhe “Kundërshtim të forcave të policisë”.

Në 14 qershor 2021, Abedin Oruçi nga arratia kontrakton përmes një prokure ligjore avokatin e Behar Bajrit, Sokol Tahiraj, me qëllim që ky i fundit të ishte mbrojtësi ligjor në dosjen penale të rregjistruar në Kukës.

Mirëpo edhe pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në Korrik 2021 vendosi të largojë Xhevahir Litën nga prokuroria e Shkodrës, duke e emëruar në Tiranë dhe më pas duke e caktuar si drejtues prokurorie në Kukës, lidhjet me Behar Bajrin dhe biznesmenin strategjik, Pëllumb Gjokën, Lita nuk i ka shkëputur.

Për prokurorët e SPAK, këto lidhje të vërtetuara në dosjen “Metamorfoza”, dyshohet se kanë influencuar dhe në pushimin e menjëhershëm të dosjes kundër Oruçit, i cili për një periudhë 4 mujore, deri në pushimin e dosjes u mbrojt nga avokati i Behar Bajrit.


Shtuar 27.08.2023 14:32