Gazetarja Klodiana Lala, ka folur sot për dosjen “McGonigal”, të cilën e cilëson si një njollë të zezë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetarja u ndal veçanërisht te një fragment i aktakuzës, të cilin e cilësoi si elementin më të rëndë që implikon politikisht Kryeministrin Edi Rama. Lala tha për “Kjo Javë” në News24 se Rama mund të mos përballet kurrë me ndonjë ndëshkim ligjor, të paktën në këtë fazë, por thekson se pasojat morale dhe politike të kësaj dosjeje do të mbeten gjatë në historikun e tij.
“McGonial, dosje që është një njollë e zezë në marrëdhëniet e vendit tonë me SHBA. Kjo dosje duhej hetuar dhe të tregonte integritetin e institucioneve shqiptare. Ka një hetim të çelur për takimet me Ramën, janë pyetur dhe persona që përmendin në aktakuzë si Agron Nezha, Dorian Ducka, por ajo që më bëri përshtypje ishte që në faqen 7 në aktakuzë ishte një detaj që flitej për reformën në drejtësi.
Aty thuhet se më 9 shtator 2017 MacGonigal i dërgoi një foto të tij dhe Ramës një mikut të tij dhe i shkroi një tjetër miku se Rama po reformonte drejtësinë në Shqipëri dhe kjo ofronte shumë mundësi. Kjo aktakuza më e rëndë që i bëhet për mendimin tim Ramës si kryeministër i vendit. Njeriu që duhet të hetonte, korruptohet.
Amerikanët nuk e falin kurrë faktin që një kryeministër të shkojë deri aty sa të shkojë e të ketë lidhje okulte me njeriun e tyre. Rama mbase kurrë nuk do të penalizohet ligjërisht por moralisht kjo është çështja që do ta rëndojë më shumë në jetën e tij politike apo jo.”, tha Lala.