Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për hetimet e atentatit që tronditi Shkodrën mëngjesin e 8 shtatorit, ku u vranë Armando Palit dhe Liridon Kraja (Lushi), teksa mbeti i plagosur shënjestra e atentatit Erogen Brajoviç, si dhe kamarierja Meri Kaceri.
Dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për shkak se dyshohet se është kryer nga një grup i strukturuar kriminal. SPAK ka nisur tërheqjen e dosjes dhe pritet që brenda pak ditësh të marrin në pyetje autorin e dyshuar të masakrës, 28-vjeçarin Ragip Gila.
Ky i fundit u kap ditën e atentatit, pasi Policia u vu në ndjekje të tij, pas ngjarjes kriminale.
Gila ka deklaruar se atentatin e kreu pas një përplasjeje të mëparshme me Erogen Brajoviç. Megjithatë, dyshimet e hetuesve në Spak janë se atentati ka qenë i porositur dhe Gila ka vepruar si ekzekutor me pagesë.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso. Kam pasur një problem personal me të. Erogen Vaso më ka ndjekur me makinën e tij të blinduar e më kërcënuar. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Me të tjerët nuk kisha asgjë, vetëm me Erogenin.” – ka deklaruar Gila.
Policia ka shpallur në kërkim një prej njerëzve të tij më të Ibrahim Licit, Barush Bregun, por edhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar Ragip Gilën për të kryer atenatin.
Një prej personave që është marrë në pyetje është edhe Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit i njohur si “fantazma”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ai është pyetur lidhur me armët e gjetura në banesën e motrës së tij, që dyshohet se është përdorur si bazë për aktivitet kriminal nga Barush Bregu alias Bajram Bregu. Lici ka deklaruar për hetuesit se motra e ka dhënë me qira banesën, pasi jeton jashtë vendit dhe do t’u vendoste në dispozicion edhe një kontratë.
Ndërkohë, mësohet se në listën e personave që SPAK do të marrë në pyetje këto ditë për të hedhur dritë mbi përplasjet mes grupeve kriminale në Shkodër është edhe Denis Brajoviç (i njohur edhe si Denis Bajri Brajoviç). Ai u ekstradua nga Dubai disa muaj më parë dhe ndodhet në paraburgim për llogari të dosjes “Metamorfoza”, që është në hetim nga SPAK.
Denis Brajoviç është vëllai i Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur gjatë atentatit të 8 shtatorit dhe dyshohet si shënjestër e atentatit.