Dosja “Dumani”, bashkëpunoi me Prokurorinë për tritolin që i jepte Elio Bitrit, SPAK nxjerr nga burgu Lenc Çekrezin

Kur janë mbushur 1 vit nga operacioni “Plumbi i artë”, njëri nga 20 të arrestuarit e kësaj dosje, Florenc Çekrezi, ka mundur të lirohet nga ambjentet e burgut.

Vendimi për lirimin e tij, është marë nga gjykata e posaçme, e cila 10 ditë më parë vendosi të pranojë kërkesën e prokurorëve të çështjes, për ndryshimin e masës së sisgurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

“Ora News” mëson se megjithëse Çekrezi akuzohet për “Shkatërim prone me eksploziv” ndaj banesës së Talo Çelës në Elbasan dhe Mustafa Subashit në Durrës, ai ka lënë ambjentet e burgut, duke vijuar të qëndrojë në masën e “arrestit në shtëpi” në qytetin e Elbasanit.

Veç kësaj akuze, Çekrezi akuzohet dhe për tre vepra të tjera penale, si “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Ndryshimi i masës së sigurisë për Florenc Çekrezin dhe lirimin e tij nga burgu, erdhi pas momentit të bashkëpunimit të 36-vjeçarit me prokurorinë e posaçme SPAK.

Çekrezi, ka treguar në SPAK se ishte ai që i ka dhënë sasinë e tritolit Eljo Bitrit, i cili më pas së bashku me Nuredin Dumanin, Henrik Hoxhën dhe Skerdi Tasin, kanë shkatëruar banesën e Talo Celës dhe lokalin e Mustafa Subashit.

Përmes dëshmisë së tij, Çekrezi kthehet në të penduarin e 6 në dosjen “Dumani”. Lëndën shpërthyese, Çekrezi e ka marë pranë kompanisë së ndërtimit ku punonte si eskavatorist.

Për shkak të bashkëpunimit me prokurorinë të Çekrezit për këtë episode, ai është liruar nga qelia. Arrestimi i Çekrezit ndodhi në 18 maj 2022 gjatë operaionit “Plumbi i artë”.

Emri i tij doli gjatë dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani, i cili ka treguar se lëndën shpërthyese në dy raste ja ka marë Eljo Bitrit, i cili e siguronte përmes një kushëririt të tij, Florenc Çekrezi që punonte në një kompani ndërtimi.

Në tetor 2021 Florenc Çekrezi, i shpëtoi një atentati në Elbasan, ku gjatë një breshërie kallashnikovi, mbetën të vrarë Lulzim Bitri, vëllai i Eljo Bitrit dhe Ardjan Çollaku. Kjo ngjarje vijon të mbetet ende pa autor, ndërsa Çekrezi është dëshmitari kryesor në këtë krim të rëndë.


Shtuar 21.05.2023 15:41