Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-drejtorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, dhe drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao.
Seanca u zhvillua sot, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i ambasadës kineze në Tiranë.
Të arrestuarit kishin kundërshtuar masat e sigurisë të vendosura më parë nga Gjykata e Fierit, por Apeli rrëzoi kërkesat e tyre, duke mbështetur qëndrimin e Prokurorisë.
Megjithatë, për disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në hetime, Gjykata e Apelit zbuti masat e sigurisë.
Nga pesë masat “arrest shtëpie”, vetëm njëra u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, për shkak të rrethanave familjare, pasi një prej të dyshuarve është prind i një fëmije 2-vjeçar.
Ndërsa për tre persona të tjerë u hoq masa e ndalimit të daljes jashtë vendit, duke lënë në fuqi vetëm detyrimin për t’u paraqitur në polici gjyqësore.
Në total, dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë ndodhen nën hetim për një sërë veprash penale të rënda, të lidhura me një skemë të dyshuar mashtrimi financiar që ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit shqiptar.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë ngritur një skemë të sofistikuar për shmangien e detyrimeve tatimore, përfitime këto të paligjshme që kapin miliona euro.
Fitimet e padeklaruara dyshohet se janë pastruar më pas përmes mekanizmave të pastrimit të parave.
Personat e hetuar dhe në kërkim akuzohen për veprat penale:
“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” (neni 144/a),
“Fshehja e të ardhurave” (neni 180/3),
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” (neni 287),
“Shpërdorimi i detyrës” (neni 248),
“Moskryerja e detyrave nga organet tatimore” (neni 181/a).
Hetimet për këtë çështje vijojnë, dhe autoritetet shqiptare nuk përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të tyre edhe ndaj institucioneve të tjera që mund të kenë pasur lidhje me aktivitetin e kompanisë gjatë periudhës së hetuar.