Dosja “Babale”, Apeli pranon kërkesën e Salianjit për përjashtimin e gjyqtares së çështjes

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka bërë me dije ditën e sotme se ka pranuar kërkesën e deputetit të PD Ervin Salianji për përjashtimin nga çështja e tij të gjykatëses Edlira Petri.

Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, për skandalin “Babale”, ku në qendër ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik.

Njoftimi

Në vijim të informacioneve, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj,  ju informojmë si më poshtë

Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sot më datë 11.03.2023, ora 11:00, u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, kërkesa me objekt: Përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, bërë nga i pandehuri Ervin Salianji.

Gjithashtu, po sot më datë 11.03.2023, ora 11:30, u shqyrtua në Dhomë Këshillim kërkesa me objekt: Përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, bërë nga përfaqësuesi i të pandehurit Jetmit Ollashi, av. Indrit Sefa.

Gjyqtares që shqyrtojë kërkesat për përjashtim, ju vu në dispozicion mendimi i Gjyqtares Edlira Petri, për të cilën u paraqitën kërkesat për përjashtim.

Në përfundim të shqyrtimit, në Dhomë Këshillimi Gjyqtare Elona Mihali, vendosi:

-Pranimin e kërkesës së kërkuesit z. Ervin Salianji,

Përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri nga shqyrtimi i çështjes penale me nr. 3473 regj datë    19.02.2020.

-Deklarimin të papranueshmë të kërkesës së kërkuesit z.Jetmir Olldashi me objekt përjashtim trupi gjykues, si kërkesë e mbetur pa objekt pas disponimit me vendimin nr .180 date 11.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me te cilën është disponuar për përjashtimin e gjyqatres Edlira Petri nga cështja penale me nr 3473 date 19.02.2020./albeu.com/