Këtë të enjte, në procesin e dosjes “5D” për të dëshmuar ishte Jona Bejko, e cila zbulohet në komunikime tek flet për një hotel që, sipas saj, pronar është kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, apo siç e quan ajo “Lali Eri”.
Jona Bejko: Jam inxhiniere. Kam qenë e punësuar tek subjekti “5D”. Llogarisja kostot e objekteve. Kam aplikuar online, jam marrë në telefon, pastaj intervistë nga administratori, i takon periudhës 2020. Paga mujore ka qenë 60 mijë lekë të reja. I merrja në bankë, merrja edhe lekë në dorë për orët shtesë.
Redi Mollën nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë asnjëherë. Mariglen Qaton nuk e njoh dhe as nuk e kam parë.
Kam pasur marrëdhënie me Jonida Hoxhajn, e cila ka qenë shefe finance në kompani. E kam pasur shumë shoqe. Gjatë komunikimeve që kisha me Jonidën ne i referoheshim Redit me emrin “R”, dhe sa i takon Mariglen Qatos, i thonin “M”.
Prokurori: Në lidhje me hotelin që thua që është pronar “Lali Eri” për kë e keni?
Jona Bejko: Janë në lidhje me faktin që isha e pakënaqur me punën. Në lidhje me hotelin po ndërtohej në Durrës. Në lidhje me fjalën që them është pronari jonë, i referohem Redi Mollës, duke qenë se ishte pronar trualli.
Prokurori: Tek fjalia që thoni “Lali Eri pronari”, kujt i referoheni?
Jona Bejko: Është e shëmtuar që keni nxjerrë këto biseda, nuk kam asnjë lloj interesi të dëshmoj. Kjo fjalë më ka përndjekur. Bëhet fjalë për Erjon Veliajn. Duke qenë se Redi Molla dhe Mariglen Qato kishin njohje në bashki, kam dashur të them që kjo që mund të ketë ardhur nga influenca e kryetarit të bashkisë. Nuk mendoj se Veliaj kishte interesa në këtë hotel.
Nuk kam dijeni që kompania të ketë hotel në Dhërmi apo më gjerë. Sa i takon hotelit në Durrës, kam dëgjuar se Redi Molla ishte pronar trualli dhe kam dëgjuar se në atë pronë po ndërtohej hoteli.